“Çka flet ti e shtrembëron“, përplasje mes Hotit e Muratit për projektbuxhetin e vitit 2027
Gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka adresuar një seri kritikash dhe pyetjesh ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke vënë në pikëpyetje orientimin strategjik të buxhetit dhe përputhjen e tij me…
Lajme
Gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka adresuar një seri kritikash dhe pyetjesh ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke vënë në pikëpyetje orientimin strategjik të buxhetit dhe përputhjen e tij me premtimet e Qeverisë.
“Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik. Edhe unë jam munduar me e pa atë pjesën e analizës tekstuale që është në fund të këtij dokumenti të madh, me pa sesa në aspektin strategjik qeveria e ka planifikuar këtë dokument të buxhetit për vitin 2027 edhe vitet e ardhshme, sepse rreth një e treta e të ardhurave kombëtare qeveria jua merr qytetarëve dhe bizneseve. Rreth 32% është vitin e ardhshëm. Pra është një e treta e të ardhurave kombëtare që e marrim, e merr shteti edhe e investon, e shpenzon në forma të ndryshme që është pak kryesisht përmes buxhetit ne i japim drejtim, ekonomik ose duhet t’i japim drejtim ekonomisë, sepse një e treta e rrjedhës së aktiviteteve ekonomike ne e marrim, e fusim në shtet”, deklaroi Hoti.
Ai theksoi se këto mjete duhet të kthehen në ekonomi përmes shpenzimeve që prodhojnë efekte konkrete, duke paralajmëruar se përndryshe një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik mund të kanalizohet në shpenzime joproduktive.
“Dhe ne duhet ta nxjerrim prapë në rrjedhë, në mënyrë që të rriten të ardhurat, mos ta shmangim një e treta e krejt aktiviteteve ekonomike edhe mandej çojmë në aktivitete që edhe në shpenzime që nuk prodhojnë ndonjë efekt”, u shpreh ai.
Duke folur për ndarjen e buxhetit në shpenzime korente dhe kapitale, Hoti tha se Qeveria duhet të ketë një qasje më të qartë ndaj pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe shpenzimeve për mallra e shërbime.
“Dy ndarjet kryesore të buxhetit janë këto: shpenzimet korente edhe shpenzimet kapitale. Çka bëjmë me shpenzimet korente? Tek pagat, tek pensionet edhe tek mallrat. Për cilin duhet të jetë fokusi? E para është në ruajtjen e fuqisë blerëse, edhe tek pagat, në veçanti tek pensionet, asistenca sociale dhe skemat e ndryshme. Unë nuk shoh në këtë buxhet, në pjesën tekstuale edhe mandej të reflektuar në tabela, se si shpërndarja e pagave, e pensioneve, asistencë sociale dhe skemave të ndryshme e ka pasur për fokus ruajtjen e fuqisë blerëse”, tha Hoti.
Ai ngriti gjithashtu çështjen e shpenzimeve për mallra dhe shërbime, duke kërkuar të dihet se si këto mjete do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Tek shpenzimet për mallra, si sigurohemi ne që të rrisim cilësinë e jetës? Në mallra që blen prej barnave e materialeve në arsim, e materialeve brenda institucioneve, institucioneve të tjera”, deklaroi ai.
Një pjesë të kritikave Hoti ia kushtoi sektorit të shëndetësisë, duke kërkuar më shumë qartësi për sigurimet shëndetësore dhe barrën financiare që qytetarët vazhdojnë ta përballojnë nga xhepi i tyre.
“Edhe mandej shpenzimet sektoriale, çka po duam me bë me shëndetësi? Mund të flasim për shifra të mëdha, po realiteti është krejt tjetër dhe unë do t’i tregoj po çka duam me bë me këto sigurimet shëndetësore? Çka duam me bë me u siguruar që njerëzit nuk shpenzojnë 40% të shpenzimeve shëndetësore totale që qytetarët i paguajnë prej xhepit vetë? Ne kot mund të themi që në spitalet tona publike shëndetësia është falas, por 40% e shpenzimeve që i kanë mesatarisht secila familje për shëndetësi i paguajnë vetë”, tha Hoti.
Hoti ngriti pikëpyetje edhe për planifikimin e investimeve në infrastrukturë, duke kritikuar Qeverinë për mosrealizimin e projekteve të mëdha rrugore dhe mungesën e një koncepti të qartë për hekurudhat.
“Ose cili është, cili është plani strategjik i juaj në infrastrukturë? Ne nuk mund të vazhdojmë një dekadë të tan, një dy-tre vjet në qeveritë paraprake dhe gjashtë vjet në qeverinë tuaj, asnjë rrugë prej arterieve kryesore nuk është përfunduar. Nuk po hy te projektet individuale. Po cili është koncepti te infrastruktura? Kur do me i përfundu këto rrugë? Cili është koncepti juaj për hekurudha tash? Çka po bëhet me atë hekurudhën për Durrës? Pra cili është komplet buxheti për investime që janë në pjesën e infrastrukturës?”, pyeti Hoti.
Ai u ndal edhe te sektori i energjisë, duke thënë se vendit i mungon një plan konkret për rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Çka duhet me bë me energji? Shihni po hyjmë dimrin dhe ne tash prapë përballemi me reduktime elementare të energjisë elektrike. Dhe nuk ka koncept, nuk ka koncept fare se si do t’i rrisim kapacitetet energjetike në të ardhmen. Pra ky është planifikimi strategjik që duhet të ndodhë në buxhet”, deklaroi ai.
Hoti tha se këto janë çështje që, sipas tij, duhet të trajtohen në dokumentin buxhetor dhe të shoqërohen me objektiva të matshme për vitet e ardhshme.
Më pas, Hoti e krahasoi dokumentin e buxhetit me zotimet e dhëna nga Qeveria gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend, më 13 shtator 2026.
Ai theksoi se buxheti përfshin periudhën 2027-2029 dhe se, rrjedhimisht, një pjesë e madhe e mandatit qeverisës duhet të jetë e reflektuar në të.
“Po këto janë idetë e mia qysh unë jam munduar kur kam qenë, për aq sa kam pasur mundësi me i përgatitur buxhetin dhe me prezentuar para deputetëve. Tani, po e lëmë atë pjesë. Po nisem me krahasuar këtë dokument të buxhetit me premtimet e juaja. Ju çka keni premtuar? Ju çka dëshiroj unë si opozitar, po ju çka keni premtuar? Çka keni premtuar ju nga mandatari tash kryeministër i vendit, me 13 shtator 2026 kur është votuar qeveria në kuvend? Keni dhënë program, s’keni pru në kuvend, por në fjalën hyrëse të mandatari kur e ka marrë mandatin për me qeverisur për katër vitet e ardhshme, i ka listuar objektivat e qeverisë së zvendë edhe i ka listuar, në shumicën e rasteve janë projektet konkrete nëpër fusha të ndryshme”, tha Hoti.
Ai kërkoi që zotimet e prezantuara në Kuvend të pasqyrohen në dokumentin buxhetor.
“Edhe unë tash kam, sepse buxheti është trevjeçar: 27, 29, dhe ashtu si keni si keni prezentuar, duhet të planifikon të gjitha projektet edhe në vitin 2029. Pra gati është i përfshirë i gjithë mandati juaj në këtë plan që i bjen. Premtimet e dhëna me 13 shtator 2026 në seancën e kuvendit duhet të jenë 99% të reflektuara në këtë dokument. Po cilat janë ato?”, pyeti ai.
Në përgjigjen e tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se jo të gjitha zotimet e Qeverisë mund të përfshihen në ndarjet buxhetore të periudhës 2027-2029, pasi mandati qeverisës përfshin edhe vitin 2030.
“Sa i përket ndarjeve buxhetore nuk mund të them të gjitha, por, shumica, sepse, ky buxhet nuk shkon deri në fund të mandatit, ka edhe viti 2030 është viti i mandatit tonë. Kështu që, jo të gjitha mund të jenë të planifikuara. Një pjesë e madhe e atyre që planifikohen të realizohen nuk kanë të bëjnë me ndarje buxhetore. P.sh programi 1 miliard euro garanci për investimet në prodhim, nuk është çështje buxhetore, atë shumë shpejt do e keni projektligjin për lëshimin e garancisë sovrane”, deklaroi Murati.
Ai shtoi se ndryshimet eventuale ligjore mund të shoqërohen edhe me rishikim të buxhetit, nëse ndikimi në të hyrat është i konsiderueshëm, por sipas tij, nismat e tilla nuk pritet të ndikojnë negativisht në të hyrat e shtetit.
“Sa herë që ka ligj që ndryshohet, e parasheh edhe ligji, nëse ndikimi në të hyrat është aq i madh mund të ketë edhe rishikim buxhetor, mirëpo nuk e konsiderojmë që kjo ndikon në ulje të të hyrave, përkundrazi, mund t’i rrisë investimet”, tha ministri.
Murati përmendi edhe raste të projekteve që, sipas tij, nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndarje nga buxheti i shtetit, duke marrë si shembuj Brezovicën dhe Aeroportin e Prishtinës.
“Pastaj çështja si Brezovica, p.sh. aeroporti kur është dhënë me koncesion nuk ka qenë në buxhet, sepse nuk ka investuar shteti aty”, tha ai.
Në vazhdim, Murati iu referua edhe një debati të mëhershëm me Hotin për shtesat e fëmijëve, duke pretenduar se në vitin 2021, gjatë shqyrtimit të buxhetit për vitin vijues, Hoti kishte vënë në dyshim realizimin e tyre për shkak se nuk ishin të përfshira në dokument.
“Më kujtohet që edhe në vitin 2021, kur e pata sjellë buxhetin për vitin vijues, njëri nga komentet, vërejtjet e deputetit Hoti kanë qenë se në buxhet nuk janë të përfshira fare shtesat e fëmijëve. Kësisoj, konkludimi i tij pat qenë se këto nuk do të bëhen, nëse mund t’ju citoj saktë”, u shpreh Murati.
Pas kësaj deklarate, Hoti ndërhyri duke kundërshtuar mënyrën se si ministri po ia atribuonte deklaratat e mëhershme.
“Kurrë nuk mund të më citosh. Çka të flet ti e shtrembëron”, reagoi Hoti.
Murati, ndërkaq, tha se çështjet që lidhen me projekte konkrete dhe iniciativa individuale duhet të diskutohen në komisionet përkatëse parlamentare, përkatësisht me ministrat përgjegjës për secilin sektor.
“Pra, sa i përket çështjeve individuale, projekteve individuale, ju ftoj që të shkoni në komisionet përkatëse të linjave në mënyrë që të diskutoni me ministrat, sepse buxheti shqyrtohet edhe në ato komisione. Pra, shkoni në ato komisione, pyetjet që i keni mund t’i bëni aty. Unë mund të flas për tërësinë buxhetore, për politikat në tërësi, kornizën buxhetore, mirëpo sa i përket projekteve, iniciativave individuale, mund t’i diskutoni me secilin ministër, sepse ata janë më kompetentë dhe dinë më mirë zonën. E dinë shumë më mirë zonën për fushën e vet që e mbulojnë. Unë nuk mund t’ia përgjigjem për fushat e tjera”, tha Murati.
Gjatë diskutimit, ministri Murati foli edhe për Fondin Zhvillimor të Veriut, duke thënë se ai buron nga marrëveshja e arritur në Bruksel në vitin 2013 dhe e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
“Fondi zhvillimor i veriut është rezultat i një marrëveshjeje në Bruksel e vitit 2013, dhe ajo marrëveshje është ratifikuar, mbase nuk e di nëse keni qenë deputet dhe keni votuar për ratifikimin e saj, por është ratifikuar edhe nga votat e deputetëve të LDK-së. Nuk mund të zhbëhet njëanshëm nga Kosova”, shtoi Murati.