Pesë shtetas turq arrestohen në Prizren: Dyshohet se rrahën një person, e futën me forcë në veturë dhe e mbajtën 12 orë në Prishtinë

Policia e Kosovës në Prizren, më 3 nëntor 2026 ka pranuar një video-inicizim lidhur me një rast të një sulmi fizik, ku pesë persona të dyshuar, kanë sulmuar një person dhe me forcë e kanë futur në një automjet të tipit “pick-up”, derisa viktima ishte duke lëvizur në këmbë në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren. Menjëherë…

Lajme

11/11/2026 10:27

Policia e Kosovës në Prizren, më 3 nëntor 2026 ka pranuar një video-inicizim lidhur me një rast të një sulmi fizik, ku pesë persona të dyshuar, kanë sulmuar një person dhe me forcë e kanë futur në një automjet të tipit “pick-up”, derisa viktima ishte duke lëvizur në këmbë në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, hetuesit kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e viktimës. Më 04.11.2026 është identifikuar viktima, shtetas i Republikës së Turqisë.

Gjatë intervistimit, viktima ka deklaruar se, pas sulmit fizik, nga i cili kishte pësuar lëndime të shumta trupore edhe me thikë, ishte dërguar kundër vullnetit të tij në një objekt në Prishtinë, ku ishte mbajtur për rreth 12 orë. Sipas deklarimeve të tij, të dyshuarit e kishin detyruar që të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që ishte duke i kryer në një objekt banesor në Prizren.

“Që nga dita e pranimit të informacionit, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë zhvilluar hetime intensive, si rezultat i të cilave, më 09 dhe 10 nëntor 2026, janë identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar pesë (5) persona të dyshuar të përfshirë në këtë rast. Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Republikës së Turqisë. Automjeti i përdorur në rast gjithashtu është gjet dhe është sekuestruar përkohësisht me urdhër të Prokurorisë së Shtetit në Prizren, ndërsa ndaj pesë të dyshuarve, me vendim të prokurorit të rastit, është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, ka njoftuar Policia.

Rasti mbetet në hetim për veprat penale:

  1. Shtrëngim;
  2. Privim i kundërligjshëm i lirisë;
  3. Lëndim i lehtë trupor.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, nuk do të tolerojë në asnjë rast që qytetarët t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes vetëgjyqësisë, shtrëngimit apo përdorimit të forcës në çfarëdo forme. Çdo veprim i tillë do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në përputhje me ligjin.”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: