Supremja zgjidhi 498 lëndë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026
Gjykata Supreme e Kosovës ka trajtuar gjithsej 1 mijë e 106 lëndë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, prej të cilave 498 janë zgjidhur, ndërsa 608 kanë mbetur të papërfunduara. Sipas raportimit të prezantuar para Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), efikasiteti i punës së kësaj gjykate për periudhën korrik-shtator ka arritur në 89.57 për…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka trajtuar gjithsej 1 mijë e 106 lëndë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, prej të cilave 498 janë zgjidhur, ndërsa 608 kanë mbetur të papërfunduara. Sipas raportimit të prezantuar para Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), efikasiteti i punës së kësaj gjykate për periudhën korrik-shtator ka arritur në 89.57 për qind,
Raportin për aktivitetet e Gjykatës Supreme e ka prezantuar një gjyqtar i kësaj gjykate, në mungesë të kryetarit, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe institucioni është përqendruar në zgjidhjen e lëndëve, rritjen e efikasitetit dhe unifikimin e praktikës gjyqësore.
Gjatë prezantimit të raportit, ai bëri të ditur se nga 1 mijë e 106 lëndët që ishin në punë, 556 janë pranuar gjatë tremujorit raportues, ndërsa 550 janë bartur nga periudha paraprake.
“Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, kemi pasur në punë gjithsej 1.106 lëndë, prej të cilave 556 lëndë janë të pranuara gjatë kësaj periudhe raportuese, kurse 550 janë të bartura nga periudha paraprake. Janë zgjidhur 498 lëndë, ndërsa 608 lëndë kanë mbetur të pakryera gjatë kësaj periudhe raportuese. Efikasiteti i Gjykatës Supreme, i shprehur në përqindje, është 89.57 për qind”, ka deklaruar gjyqtari gjatë raportimit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se puna e Gjykatës Supreme gjatë kësaj periudhe është orientuar drejt përmbushjes së kompetencave të përcaktuara me ligj, duke i kushtuar rëndësi të veçantë jo vetëm trajtimit të lëndëve, por edhe ngritjes së cilësisë së vendimmarrjes dhe krijimit të një praktike të unifikuar gjyqësore.
“Gjatë kësaj periudhe kohore, gjykata u përqendrua në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore, në fokus të zgjidhjes së lëndëve, rritjen e efikasitetit dhe unifikimin e praktikës gjyqësore. Këto janë tri-katër shtylla që përbëjnë bazamentin e Gjykatës Supreme të Kosovës, sipas Ligjit për Gjykatat”, ka thënë ai.
Sa i përket strukturës së lëndëve të përfunduara gjatë tremujorit të tretë, gjyqtari ka paraqitur edhe ndarjen sipas kategorive, ku numrin më të madh e përbëjnë kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kërkesat për rishikim.
Sipas të dhënave të prezantuara, Gjykata Supreme ka zgjidhur 209 kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, 155 kërkesa për rishikim, 39 rishikime administrative dhe 18 kërkesa për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 17 kërkesa për rigjykim të jashtëzakonshëm administrativ, 13 rishikime ekonomike, 13 padi administrative dhe 10 ankesa administrative.
Në kategoritë e tjera përfshihen nëntë lëndë civile të ndryshme, nëntë ankesa për paraburgim, pesë kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë në lëmin civile dhe një ankesë penale në shkallën e tretë.
“Meqenëse Këshilli Gjyqësor sigurisht e ka raportin, mirëpo për shkak të kohës, meqë mbledhjet e Këshillit zakonisht shkojnë drejtpërdrejt, po i lexoj edhe kategoritë e lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe. Janë 209 kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, 155 rishikime, 39 rishikime administrative, 18 kërkesa për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, 17 për rigjykim të jashtëzakonshëm administrativ, 13 rishikime ekonomike, 13 padi administrative, 10 ankesa administrative, nëntë lëndë civile të ndryshme, nëntë ankesa për paraburgim, pesë kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë në lëmin civile dhe një ankesë penale në shkallën e tretë. Ky është raporti sa i përket kategorive të lëndëve të zgjidhura”, ka deklaruar ai.
Takime me partnerë ndërkombëtarë dhe aktivitete për avancimin e punës së gjykatës
Përveç trajtimit të lëndëve, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, Gjykata Supreme ka zhvilluar edhe një sërë aktivitetesh institucionale, takimesh dhe bashkëpunimesh me partnerë ndërkombëtarë.
Gjyqtari ka bërë të ditur se, pavarësisht faktit se kjo periudhë përfshin edhe kohën e pushimeve, Gjykata Supreme ka vazhduar angazhimet për përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të punës së saj.
“Gjatë kësaj periudhe kohore, e di se ka qenë edhe aspekti dhe koha e pushimeve, megjithatë Gjykata Supreme ka mbajtur një numër takimesh me akterë dhe partnerë ndërkombëtarë, me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe efikasitetit të punës së saj”, ka thënë ai.
Më 8 korrik, kryetari i Gjykatës Supreme ka marrë pjesë në lansimin e një raporti të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ku është diskutuar edhe puna e Gjykatës Supreme dhe kompetencat e saj në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
Gjatë kësaj periudhe, Gjykata Supreme ka pritur edhe një delegacion të Ambasadës së Gjermanisë, me të cilin janë zhvilluar diskutime për mbështetjen e sistemit gjyqësor.
Ndërkaq, gjatë muajit gusht është mbajtur një takim me shefin e ri të Misionit të EULEX-it, ku është rikonfirmuar rëndësia e bashkëpunimit institucional për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor.
Draft-rregullorja për Gjykatën Supreme, në fokus të një punëtorie dyditore
Një ndër aktivitetet e rëndësishme të kësaj periudhe ka qenë edhe punëtoria e mbajtur më 16 dhe 17 korrik 2026, për shqyrtimin e draft-rregullores për organizimin, punën dhe mbajtjen e seancave të plota të Gjykatës Supreme.
Sipas raportimit, kjo rregullore konsiderohet e rëndësishme për funksionimin e institucionit, pasi përmes saj synohet të përcaktohen më qartë aspekte të ndryshme të organizimit dhe punës së Gjykatës Supreme, si dhe të avancohen standardet e transparencës dhe efikasitetit.
“Është mbajtur një punëtori më datat 16 dhe 17 korrik të vitit 2026, për shqyrtimin e draft-rregullores për organizimin, punën dhe mbajtjen e seancave të plota të Gjykatës Supreme. Kjo është një akt normativ mjaft i nevojshëm për Gjykatën Supreme të Kosovës, meqë aty do të përcaktohen shumë aspekte të punës së Gjykatës Supreme, në kuptimin e rregullativës dhe avancimit të standardeve të transparencës, efikasitetit dhe funksionimit institucional të kësaj gjykate”, ka theksuar gjyqtari.
Po ashtu, kryetari i Gjykatës Supreme ka marrë pjesë në punëtoritë e organizuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), të cilat kanë trajtuar efikasitetin e gjykatave, vlerësimin e performancës gjyqësore dhe zbatimin e planit strategjik.
Në raportim është përmendur edhe roli i kryetarit të Gjykatës Supreme si kryesues i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, në kuadër të së cilës gjithashtu është zhvilluar një takim gjatë kësaj periudhe.
Gjashtë ankesa disiplinore të trajtuara
Sa i përket çështjeve disiplinore, gjatë tremujorit të tretë kryetari i Gjykatës Supreme ka trajtuar gjithsej gjashtë ankesa disiplinore që kanë pasur të bëjnë me kryetarë të gjykatave dhe gjyqtarë të Gjykatës Supreme.
Nga këto, dy ankesa janë refuzuar, ndërsa në katër raste janë hedhur poshtë kërkesat e parashtruara.
“Një pikë e shkurtër edhe për vendimet disiplinore që ka trajtuar kryetari i Gjykatës Supreme gjatë kësaj periudhe. Janë gjithsej gjashtë ankesa disiplinore, nga të cilat dy janë refuzuar dhe katër janë hedhje të kërkesave që janë parashtruar lidhur me kryetarë të gjykatave dhe gjyqtarë të Gjykatës Supreme”, është bërë e ditur gjatë prezantimit të raportit.
Një pjesë e rëndësishme e raportimit i është kushtuar edhe transparencës dhe komunikimit me publikun, ku Gjykata Supreme ka vazhduar publikimin e vendimeve gjyqësore dhe informimin e qytetarëve për aktivitetet institucionale.
Gjatë periudhës korrik-shtator 2026, Zyra për Informim dhe Komunikim me Media e Gjykatës Supreme ka publikuar gjithsej 858 vendime gjyqësore. Prej tyre, 510 janë vendime të Gjykatës Supreme, ndërsa 342 janë nga Dhoma e Posaçme.
Përveç vendimeve, janë publikuar edhe tetë komunikata për media dhe 18 postime në rrjetet sociale.
“Një rëndësi të pashmangshme Gjykata Supreme i jep transparencës dhe komunikimit me publikun. Për këtë arsye, Zyra për Informim dhe Komunikim me Media, që funksionon në kuadër të Gjykatës Supreme, ka publikuar 858 gjykime, prej të cilave 510 nga Gjykata Supreme dhe 342 nga Dhoma e Posaçme, tetë komunikata dhe 18 postime në rrjete sociale. Numri i përgjithshëm i vendimeve të publikuara nga Gjykata Supreme tani ka arritur në 21.725 vendime gjyqësore”, ka deklaruar gjyqtari.
Ndërkohë, gjatë këtij tremujori janë pranuar edhe 62 kërkesa për qasje në dokumente dhe informacione zyrtare, prej të cilave dy janë refuzuar.
Gjithashtu, në kuadër të transparencës së punës së institucionit, gjatë periudhës raportuese është publikuar orari i 13 seancave të Gjykatës Supreme.