Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pas dukurisë së “ikjes së trurit”, vitet e fundit Kosova po përballet me dukurinë e kundërt, atë të “kthimit të trurit”, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë për të jetuar dhe punuar në vendin tonë.
Kurti i bëri këto deklarata në hapjen e edicionit të katërt të “Swiss Medical School”, ku ka thënë se mjekët shqiptarë që punojnë jashtë vendit po vazhdojnë të kontribuojnë edhe në Kosovë përmes ligjëratave, trajnimeve dhe punës së përbashkët me ekipet shëndetësore vendore.
“Të gjithë jemi të brengosur me atë që quhet në mënyrë të popullarizuar, por me dhembje, ‘ikje e trurit’, edhe mjekët edhe infermierët tanë që lëshojnë atdheun dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, posaçërisht në Evropën Perëndimore. Por viteve të fundit e kemi dukurinë e cila është e kundërta e saj, drejtimi i njëjtë, por kahja e kundërt, ‘kthimi i trurit’”, tha Kurti.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë.
“E mirëpresim ata që vendosin të jetojnë e të punojnë këtu dhe çmojmë kontributin e kolegëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit, por herë pas here kthehen në vendlindje për të ligjëruar, për të trajnuar mjekë të rinj ose për të punuar krahas ekipeve tona. Ky takim është shembull i një bashkëpunimi të tillë”, ka thënë ai.
Por, sa është e vërtetë kjo?
Oda e Mjekëve të Kosovës në një përgjigje për lajmi.net ka dhënë statistika të cilat paraqesin gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen mantilbardhët në Kosovë, e që nuk afrohet dhe as nuk përkon me atë që mundet ta paraqes Albin Kurti dhe Qeveria e tij.
Ata kanë njoftuar se në regjistrin e Odës së Mjekëve të Kosovës, figurojnë 521 mjekë të papunë.
Përveç mjekëve që janë të papunë në Kosovë, Oda e Mjekëve ka thënë se nga vetëdeklarimet e anëtarëve ndër vite, rezulton se rreth 600 mjekë janë të punësuar në Gjermani.
Oda e Mjekëve të Kosovës, në përgjigje për lajmi.net ka “përgënjeshtruar” deklaratën e Kurtit për 171 mjekët e kthyer në Kosovë vetëm gjatë vitit 2025.
Ata kanë treguar se gjatë periudhës 2018-2026, vetëm 40 mjekë janë kthyer në Kosovë dhe se janë të regjistruar në regjistrat e Odës me emër e mbiemër.
“Gjithashtu dëshirojmë të ju njoftojmë se, bazuar në të dhënat e Odës së Mjekëve e Kosovës, rreth 40 mjekë gjatë periudhës 2018–2026 janë pajisur me Certifikatën e së Kaluarës Etike dhe Profesionale, duke deklaruar se ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale jashtë Kosovës, ndërsa pas disa vitesh janë kthyer në Kosovë, janë rianëtarësuar dhe rilicencuar në Odën e Mjekëve të Kosovës. Këta mjekë janë të identifikuar në regjistrat e Odës me emër dhe mbiemër. Vlen të theksohet se shumica e tyre aktualisht janë të punësuar në sektorin privat”, kanë thënë nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Në lidhje me këtë deklaratë të Kurtit, të hënën ka reaguar edhe këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Durim Elshani.
Ai ka thënë se sipas të dhënave të siguruara nga Bordi për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë, gjatë vitit 2025 janë licencuar gjithsej 171 profesionistë shëndetësorë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, por edhe nga trevat e tjera shqiptare.
Elshani ka thënë se nga këta 171 profesionistë shëndetësore shqiptar, 12 janë me nënshtetësi të Kosovës, që pas përfundimit të specializimit në vendet evropiane janë kthyer për të punuar në Kosovë, ndërsa 159 të tjerë janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të huaj ose me dy nënshtetësi, të cilët janë pajisur me licencë nga Bordi për Shkollim Specialistik për të punuar dhe vepruar në Republikën e Kosovës.
Sipas tij, gjithsej janë 171 profesionistë shqiptarë që kanë zgjedhur të kthehen dhe të punojnë në Kosovë dhe që tashmë janë pajisur me licencat përkatëse për ta ushtruar profesionin e tyre.
“Për korrektësi, viti 2025, sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës, shënon numrin më të ulët ndër vite, gjithsej 95, të profesionistëve shëndetësorë që kanë kërkuar nga Oda e Mjekëve dokumentet e nevojshme për të aplikuar për punë në vendet evropiane. Kjo shënon një ulje signifikante nga vitet më herët. Për shembull, në vitin 2022, sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës, kanë qenë 211 profesionistë shëndetësorë që kanë kërkuar këto dokumente. Një pjesë e tyre, pavarësisht se i kanë marrë dokumentet, nuk do të thotë se domosdoshmërisht janë pajisur me licenca në vendet evropiane apo se janë larguar nga Kosova. Kurse kemi edhe raste që kanë marrë pushim pa pagesë dhe pas një kohe të shkurtër të punës në vendet evropiane janë kthyer sërish në Republikën e Kosovës”, ka thënë Elshani.
Në lidhje me këtë deklaratë të Kurti ka pasur reagime të shumta.
Përfaqësuesit e studentëve të mjekësisë e kanë cilësuar këtë pretendim si të shkëputur nga realiteti i përditshëm me të cilin përballen mjekët e rinj në Kosovë, transmeton lajmi.net.
Kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Besfort Racaj, përmes një reagimi publik ka sfiduar drejtpërdrejt kryeministrin Kurti duke kërkuar argumente zyrtare për shifrat e prezantuara.
Racaj ka bërë të ditur se institucionalisht u ishte dhënë afat krerëve të Qeverisë deri më 6 nëntor për një takim ku do të trajtoheshin kërkesat e tyre, mirëpo Kryeministri, Ministri i Arsimit dhe ai i Financave kishin zgjedhur heshtjen.
Sipas tij, ftesa e vetme kishte ardhur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, por vetëm pasi tashmë ishte shpallur ai që e quajti “konkurs i imponimit”.
Racaj kritikon këtë konkurs se nuk reflekton nevojat reale të sistemit shëndetësor dhe i detyron mjekët e rinj të zgjedhin mes specializimeve të imponuara, pritjes pa siguri ose përgatitjes së dokumentacionit për t’u larguar drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera.
Për t’iu kundërvënë deklaratave zyrtare për “kthim të trurit”, përfaqësuesi i studentëve ka rikujtuar statistikat alarmuese të largimit të profesionistëve.
Ai ka theksuar se vetëm gjatë periudhës 2021–2026, mbi 650 mjekë kanë tërhequr dokumentacionin nga Oda e Mjekëve të Kosovës me qëllim punësimin jashtë vendit.
“Pikërisht sot, Kryeministri që hezitoi të na priste në takim, u paraqit papritur para qindra mjekëve të rinj dhe studentëve të mjekësisë. Jo për të na treguar se çfarë po bën Qeveria për kërkesat tona, por për të deklaruar se me qeverisjen e tyre truri po ‘KTHEHET’ në Kosovë. Kryeministër, duket se keni zgjedhur publikun e gabuar për t’i hedhur hi syve! Në atë sallë, thuajse çdo i dyti ka nisur ose planifikon të regjistrohet në kursin e gjuhës gjermane,” është shprehur Racaj.
Duke e përmbledhur reagimin me pyetjen e drejtpërdrejtë “Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”, Racaj ka paralajmëruar se mjekët e rinj nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre për kushte dinjitoze profesionale.
Përfaqësuesit e mjekëve të rinj kanë njoftuar se më 13 nëntor do të paraqiten pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar me ngulm përmbushjen e kërkesave të tyre, duke nënvizuar se dinjiteti i profesionistëve shëndetësorë është i panegociueshëm. /Lajmi.net/