Hetimi i rastit të Arlinda Zekajt dhe buxheti i 2027-tës – sot mblidhen disa komisione parlamentare
Në Kuvendin e Kosovës sot do të vijojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare, ku në fokus do të jenë hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, shqyrtimi i raporteve të auditimit dhe Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2027, raporton IndeksOnline. Në orën 09:00 do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale…
Lajme
Në Kuvendin e Kosovës sot do të vijojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare, ku në fokus do të jenë hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, shqyrtimi i raporteve të auditimit dhe Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2027, raporton IndeksOnline.
Në orën 09:00 do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Sipas rendit të ditës, anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë miratimin e rendit të ditës dhe zgjedhjen e ekspertëve të jashtëm që do të angazhohen në punën e komisionit.
Në orën 10:00 do të mbahet edhe mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku do të shqyrtohen raportet e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të tri institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për vitin 2025.
Bëhet fjalë për raportet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, ndërmarrjes “Trepça” SH.A. dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në këtë mbledhje janë ftuar kryeshefat ekzekutivë dhe kryesuesit e bordeve përkatëse.
Po në orën 10:00 do të mblidhet Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini, i cili do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Ndërkaq, në orën 11:00 është paraparë mbledhja e Komisionit për Buxhet, ku në rend dite është shqyrtimi në parim i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Ky komision do të votojë gjithashtu raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2025.
Mbledhja e fundit e paraparë për këtë ditë është ajo e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, e cila do të nisë në orën 13:00.
Anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë dokumentacionin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.