QKUK-ja e konfirmon mungesën e barnave në Onkologji: Fletëporosia është lëshuar, po presim furnizimin
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka konfirmuar se furnizimi me barnat që mungojnë në Klinikën e Onkologjisë ende nuk është realizuar, pavarësisht se fletëporosia është lëshuar. Në një përgjigje për lajmi.net, nga QKUK-ja kanë bërë të ditur se institucioni është në pritje të realizimit të furnizimit nga operatori ekonomik, pa specifikuar se kur pritet…
Lajme
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka konfirmuar se furnizimi me barnat që mungojnë në Klinikën e Onkologjisë ende nuk është realizuar, pavarësisht se fletëporosia është lëshuar.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga QKUK-ja kanë bërë të ditur se institucioni është në pritje të realizimit të furnizimit nga operatori ekonomik, pa specifikuar se kur pritet të mbërrijnë barnat dhe në çfarë sasie.
Përgjigjja vjen pas raportimit për rastin e një pacienti me kancer, i cili më 10 nëntor është detyruar të shpenzojë 682 euro nga xhepi për të siguruar dy barna që nuk i ka gjetur në Klinikën e Onkologjisë, Bevacizumab (Avastin) dhe Paclitaxel. Përkundër shpenzimit të kësaj shume, pacienti nuk ka arritur ta sigurojë dozën e plotë të Bevacizumab-it të përshkruar nga mjeku.
Në përgjigjen e dërguar për lajmi.net, Mirlinda Qyqalla nga Zyra e Drejtorit të QKUK-së ka thënë se, bazuar në informacionet e pranuara nga Barnatorja Qendrore, procedura e porositjes është kryer dhe tashmë pritet realizimi i furnizimit.
“Bazuar në të dhënat dhe informacionet e pranuara nga Barnatorja Qendrore, ju njoftojmë se fletëporosia është lëshuar dhe aktualisht jemi në pritje të realizimit të furnizimit nga Operatori Ekonomik”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Megjithatë, institucioni nuk ka dhënë një datë konkrete se kur do të realizohet furnizimi, as nuk ka sqaruar nëse kjo porosi përfshin të dy barnat për të cilat është raportuar mungesa.
Kështu, edhe pas lëshimit të fletëporosisë, pacientët nuk kanë një afat të qartë se kur do të mund t’i marrin barnat në institucionin publik shëndetësor.
Rasti që bëri bujë sot ka të bëjë me një pacient me kancer, i cili më 10 nëntor ishte paraqitur në Klinikën e Onkologjisë për të marrë terapinë e përshkruar nga mjeku.
Sipas publikimeve nga gazetarja Saranda Rama, nga katër barnat e nevojshme për trajtim, dy ishin në dispozicion, ndërsa mungonin Bevacizumab (Avastin) 600 mg dhe Paclitaxel 300 mg.
Për të siguruar Bevacizumab-in, pacienti ka paguar 550 euro, pa faturë, për 500 mg të këtij bari. Për 400 mg ka paguar 400 euro, ndërsa për 100 mg të tjera 150 euro. Për shkak të kostos, nuk ka arritur të blejë edhe 100 mg shtesë, të nevojshme për plotësimin e dozës së përshkruar.
Ndërkaq, për tri ampulat e Paclitaxel-it, nga 100 mg secila, ka paguar 132 euro, blerje kjo e dëshmuar me faturë.
Në total, shpenzimet kanë arritur në 682 euro. Megjithatë, pavarësisht kësaj shume, pacienti nuk ka arritur ta sigurojë të gjithë terapinë e përshkruar.
Mungesa e barnave në Klinikën e Onkologjisë vjen pavarësisht deklaratave të mëhershme të krerëve të institucioneve për përmirësimin e furnizimit dhe sigurimin e barnave esenciale për pacientët me kancer.
Kryeministri Albin Kurti, më 11 nëntor 2024, kishte premtuar se gjatë vitit 2025 furnizimi me barna esenciale në Klinikën e Onkologjisë do të arrinte në 100 për qind.
Në një postim në Instagram, Kurti kishte shkruar se për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ishin ndarë 105 milionë euro për vitin 2025, ku përfshiheshin edhe barnat esenciale.
“Përmes tij, po shtojmë barna të reja në listën esenciale dhe në vitin që vjen për herë të parë niveli i furnizimit me barna esenciale në Klinikën e Onkologjisë do të jetë 100%. Klinikë pas klinike”, kishte deklaruar Kurti.
Ndërkohë, edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 2 tetor 2026 kishte folur për mungesën e Avastin-it, duke paralajmëruar se bari do të arrinte së shpejti në Klinikën e Onkologjisë.
“Para një jave, tashmë pas dështimit të dy procedurave, kemi nënshkruar edhe me versionin e fundit nga lista e çmimeve në listën e çmimeve të barnave në Kosovë dhe besojmë që shumë shpejt Avastina do të jetë këtu te ne”, kishte thënë Vitia.
Megjithatë, u raportua 35 pacientë vazhdonin të ishin pa këtë terapi, edhe pse kontrata për furnizim ishte nënshkruar rreth javë më parë.
Ndërkohë, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, më 7 nëntor kishte deklaruar se mbi 85 deri në 90 për qind e barnave nga Lista Esenciale ishin në dispozicion në klinikë. Ai kishte pranuar se gjatë vitit kishte pasur mungesa të përkohshme dhe vonesa në furnizim, të cilat në raste të caktuara kishin bërë që pacientët të prisnin shtatë deri në nëntë javë për terapinë.
Kurtishi kishte thënë gjithashtu se në raste të caktuara pacientët ishin udhëzuar që barnat t’i siguronin vetë, ndërsa në raste të tjera terapia ishte shtyrë, varësisht nga gjendja klinike dhe vlerësimi i mjekëve.
Një tjetër element që ngre pikëpyetje për furnizimin është raporti i publikuar nga SHSKUK-ja më 9 nëntor, i cili paraqet gjendjen e stokut farmaceutik më 6 nëntor 2026.
Në listën e publikuar për Klinikën e Onkologjisë figurojnë 45 produkte farmaceutike, por nuk figurojnë as Bevacizumab-i dhe as Paclitaxel-i.
SHSKUK-ja ka sqaruar se gjendja e stokut ndryshon nga dita në ditë, pasi Barnatorja Qendrore pranon furnizime gjatë gjithë javës. Megjithatë, dokumenti tregon se këto dy barna nuk figuronin në stokun e raportuar për datën 6 nëntor.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme sqarimin se kur do të realizohet porosia e re dhe kur do të jenë barnat në dispozicion të pacientëve.
Përgjigjja e QKUK-së konfirmon se procedura e porositjes ka avancuar, por nuk garanton se furnizimi do të realizohet në një afat të caktuar.
Për pacientët me kancer, çështja nuk përfundon me lëshimin e një fletëporosie apo nënshkrimin e një kontrate. Ajo që ka rëndësi është nëse barnat janë fizikisht në klinikë dhe mund të merren në kohën kur përshkruhen nga mjekët.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se sa pacientë të tjerë janë përballur me të njëjtën situatë dhe sa prej tyre kanë pasur mundësi financiare për t’i siguruar vetë terapitë.
Për rastin konkret, pacienti ka dhënë leje për publikimin e dokumentacionit dhe dëshmive të tij.
Përgjegjësia për të siguruar furnizimin e rregullt me barna dhe për të garantuar qasjen e pacientëve në terapinë e përshkruar mbetet çështje që kërkon përgjigje nga institucionet përgjegjëse./lajmi.net/


