Kushtetuesja rrëzon kërkesën për shfuqizimin e dekreteve për ministren virtuale

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka publikuar sot vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën e 39 deputetëve të Kuvendit për shfuqizimin e dispozitave të dy dekreteve të Presidentit që lidhen me ministren virtuale të inteligjencës artificiale, Diella. Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës. Sipas ATSH-së, vendimi është marrë më 8 tetor 2026 dhe është shpallur më 9…

Lajme

09/11/2026 20:33

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka publikuar sot vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën e 39 deputetëve të Kuvendit për shfuqizimin e dispozitave të dy dekreteve të Presidentit që lidhen me ministren virtuale të inteligjencës artificiale, Diella. Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës.

Sipas ATSH-së, vendimi është marrë më 8 tetor 2026 dhe është shpallur më 9 nëntor 2026.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se dispozitat e kundërshtuara kanë efekt juridik individual ndaj Kryeministrit, por nuk krijojnë në mënyrë autonome kompetenca apo struktura të reja dhe nuk kanë karakter normativ. Për këtë arsye, ato nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë.

“Ministri virtual është një program i inteligjencës artificiale i organizuar në mënyrë jofrymore, i cili nuk përfaqëson në vetvete një person fizik real me zotësi juridike dhe zotësi për të vepruar në mënyrë të pavarur, e për rrjedhojë nuk ka të drejta të mëvetshme që e bëjnë atë një subjekt të pavarur në qarkullimin civil dhe administrativ. Si i tillë, në rastin e tij nuk zbatohen kriteret kushtetuese dhe ligjore dhe rregullat që kanë të bëjnë me zgjedhshmërinë, me papajtueshmërinë e funksionit ose me verifikimin e zgjedhjes së tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se Diella është një platformë e inteligjencës artificiale, e përdorur si instrument për përpunimin e të dhënave në procedurat e prokurimeve publike dhe tenderimeve, dhe jo një funksionar kushtetues apo ministri në kuptimin juridik.

“Gjithashtu, ai nuk gëzon karakteristikat ose tiparet e ‘ministrisë’ si person juridik të lidhura me pasjen e një strukture organizative, të pavarësisë pasurore dhe të përgjegjësisë së pavarur juridike dhe institucionale për veprimet që kryen dhe aktet që nxjerr nën drejtimin dhe autoritetin e ministrit virtual Diella, që nuk gëzon as cilësinë individuale si person fizik”, thuhet më tej në vendim.

Sipas ATSH-së, kërkesa është rrëzuar me shumicë votash, ndërsa gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi kanë dalë në pakicë, duke argumentuar se dispozitat duhej të shfuqizoheshin si të papajtueshme me Kushtetutën.