Raporti për vrasjen e Arlinda Zekajt evidenton lëshime serioze të institucioneve, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun

Raporti i përbashkët i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për vrasjen e Arlinda Zekajt ka evidentuar një sërë mangësish, vonesash dhe mosveprimesh nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e saj. Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi Policia e Kosovës e…

Lajme

09/11/2026 15:35

Raporti i përbashkët i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për vrasjen e Arlinda Zekajt ka evidentuar një sërë mangësish, vonesash dhe mosveprimesh nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e saj.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi Policia e Kosovës e kishte shoqëruar deri në shtëpi.

Dokumenti shqyrton veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës, Qendrës për Punë Sociale në Pejë dhe institucioneve të drejtësisë, për të vlerësuar nëse ishin përmbushur detyrimet ligjore për mbrojtjen e viktimës.

Sipas raportit, Zekaj kishte përjetuar më shumë se 12 vjet dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishte martuar në vitin 2010. Në vitin 2024, ajo ishte kthyer në Kosovë së bashku me djalin, ndërsa bashkëshorti vazhdonte të qëndronte kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një prej çështjeve që ngre shqetësim në raport është fakti se, ndonëse autoritetet ishin njoftuar se bashkëshorti posedonte armë me leje, në dokumentacionin e shqyrtuar nuk figurojnë veprime të Policisë për sekuestrimin e saj.

Sipas detajeve të publikuara nga Euronews Albania, raporti përmend edhe një rast të dhunës në dhjetor të vitit 2025, kur bashkëshorti, derisa ndodhej në Amerikë, e kishte kërcënuar dhe ofenduar Arlindën, duke i kërkuar të largohej nga shtëpia. Më pas, ai ishte kthyer në banesë dhe u kishte vënë zjarrin sendeve të saj personale. Ngjarja ishte dokumentuar përmes një videoje, të cilën viktima e kishte dorëzuar në polici si dëshmi.

Pavarësisht denoncimeve, problemet me sigurinë e saj kishin vazhduar. Gjykata Themelore në Pejë kishte nxjerrë urdhër mbrojtjeje, përmes të cilit bashkëshorti obligohej t’ia mundësonte kthimin dhe shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët.

Me të njëjtin vendim ishte përcaktuar që ai të mbante distancë prej dy metrash nga viktima brenda banesës dhe 20 metrash jashtë saj.

Megjithatë, sipas raportit, Arlinda kishte raportuar vazhdimisht se nuk po arrinte të hynte në shtëpinë e saj, madje në disa raste kishte paraqitur ankesa deri në dy herë brenda ditës. Ajo kishte kërkuar vazhdimisht rivlerësimin e nivelit të rrezikut dhe shtimin e masave për mbrojtjen e saj.

Raporti trajton edhe procedurat që lidheshin me kujdesin ndaj djalit të mitur, për të cilin Gjykata kishte vendosur që t’i besohej nënës.

Ndërkaq, më 26 tetor, një ditë pas vrasjes, Gjykata kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për kryerjen e autopsisë. Instituti për Mjekësi Ligjore kishte realizuar procedurat përkatëse, ndërsa raporti i autopsisë pritej t’i dorëzohej prokurorit të rastit pas përfundimit të veprimeve ligjore.