IKShPK: 299 raste me fruth në Kosovë, 30 prej tyre vetëm gjatë javës së fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se rastet me fruth po vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke bërë thirrje për rritjen e vaksinimit të fëmijëve. Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 8 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 299 raste me fruth, ndërsa 30 raste të reja janë…
Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se rastet me fruth po vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke bërë thirrje për rritjen e vaksinimit të fëmijëve.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 8 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 299 raste me fruth, ndërsa 30 raste të reja janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Rastet janë evidentuar në 23 komuna të Kosovës, ku pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë.
IKShPK ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Instituti ka theksuar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Ndërkohë, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, IKShPK po vazhdon aktivitetet e vaksinimit plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara.
Gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4 mijë e 69 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se kanë munguar ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet përkatëse të vaksinimit.
Instituti ka ritheksuar se vaksinimi në kohë mbetet masa kryesore për parandalimin e fruthit dhe kufizimin e përhapjes së tij në komunitet. /Lajmi.net/