​Superliga në pauzë: Prishtina komandon, gara për mbijetesë bëhet dramatike

Superliga e Kosovës në futboll do të hyjë në një pauzë për shkak të ndeshjeve të kombëtareve në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa 13 xhirot e para kanë sjellë një renditje interesante, me Prishtinën që e ka marrë kryesimin dhe me disa skuadra që tashmë po përballen me presion të madh në pjesën e…

Sport

09/11/2026 10:25

Superliga e Kosovës në futboll do të hyjë në një pauzë për shkak të ndeshjeve të kombëtareve në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa 13 xhirot e para kanë sjellë një renditje interesante, me Prishtinën që e ka marrë kryesimin dhe me disa skuadra që tashmë po përballen me presion të madh në pjesën e poshtme të tabelës.

Prishtina është lider i kampionatit me 32 pikë, pas 13 ndeshjeve të zhvilluara, duke regjistruar dhjetë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje. Kryeqytetasit kanë krijuar një epërsi prej pesë pikësh ndaj ndjekëses së parë, Malishevës, dhe duket se deri më tani janë skuadra më konstante në kampionat. Një tjetër tregues i forcës së Prishtinës është edhe mbrojtja, pasi ka pranuar vetëm dhjetë gola.

Në pozitën e dytë renditet Malisheva me 27 pikë duke regjistruar tetë fitore, tri barazime dhe dy humbje, ndërsa me 27 gola të shënuar është sulmi më efikas në Superligë. Megjithatë, diferenca prej pesë pikësh me Prishtinën tregon se Malisheva do të ketë punë për të bërë në mënyrë që ta mbajë hapin me liderin.

Në vendin e tretë është Drita me 24 pikë, tri më pak se Malisheva dhe tetë larg Prishtinës. Gjilani zë pozitën e katërt me 22 pikë, duke mbetur gjithashtu në garë për pozitat e larta.

Ballkani, njëra prej skuadrave që në vitet e fundit ka qenë vazhdimisht pretendente për titull, aktualisht është vetëm në pozitën e pestë me 19 pikë. Një pikë më pak ka Dukagjini, që renditet i gjashti me 18 pikë.

Në pozitën e shtatë gjendet Feronikeli me 15 pikë, ndërsa Drenica është e teta me 12 pikë. Këto dy skuadra kanë nevojë për rezultate më të mira në vazhdim, në mënyrë që të mos përfshihen më seriozisht në garën për mbijetesë.

Situata është edhe më shqetësuese për Llapin dhe Vushtrrinë. Llapi, që në fillim të sezonit kishte ambicie më të mëdha, pas 13 xhirove ka grumbulluar vetëm tetë pikë, me dy fitore, dy barazime dhe nëntë humbje. Skuadra nga Podujeva është në pozitën e nëntë dhe ka pesë pikë më pak se Drenica, raporton KosovaPress.

Në fund të tabelës ndodhet Vushtrria, me vetëm tri pikë nga 13 ndeshje. Me një fitore dhe 12 humbje, vushtrriasit janë në një situatë shumë të vështirë, ndërsa kanë pranuar edhe 31 gola, më shumë se çdo skuadër tjetër në kampionat.

Pauza e nëntorit vjen në një moment të rëndësishëm për klubet, të cilat do të kenë mundësi të analizojnë paraqitjet e deritanishme dhe të përgatiten për vazhdimin e kampionatit. Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje në Ligën e Kombeve, më 14 nëntor kundër Izraelit në Prishtinë dhe më 17 nëntor kundër Irlandës në udhëtim.