Një muaj paraburgim të dyshuarit për sulmin ndaj gjyqtares Qëndresa Sejdiu

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj personit të dyshuar për sulmin fizik ndaj gjyqtares Qëndresa Sejdiu, ngjarje kjo që ndodhi më 4 nëntor në fshatin Sadovinë e Jerlive të Vitisë. Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila të dyshuarin me inicialet H.Y. e…

Lajme

06/11/2026 15:04

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj personit të dyshuar për sulmin fizik ndaj gjyqtares Qëndresa Sejdiu, ngjarje kjo që ndodhi më 4 nëntor në fshatin Sadovinë e Jerlive të Vitisë.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila të dyshuarin me inicialet H.Y. e ngarkon me veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, derisa gjyqtarja Sejdiu ishte duke realizuar një ekzaminim të terrenit në kuadër të një lënde civile.

Gjatë këtij veprimi procedural, i dyshuari, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë agresive në punën zyrtare të gjykatës, duke ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ndaj gjyqtares dhe duke cenuar integritetin e saj fizik.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke konstatuar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Njoftimi i plotë: 

Një muaj paraburgim të dyshuarit për sulm ndaj personit zyrtar

Viti, 6 nëntor 2026 – Gjykata Themelore në Gjilan – Dega Viti ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji të pandehurit H. Y. i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale sulmi ndaj personit zyrtar.

Sipas kërkesës së prokurorisë me datë 04.11.2026 rreth orës 14:00 në fshatin Sadovinë e Jerlive të Komunës së Vitisë, gjatë realizmit të ekzaminimit të terrenit në kuadër të lëndës civile, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega Viti, veprim procedural që ndërmerrej nga gjyqtarja e rastit, me qëllim të shqyrtimit dhe konstatimit të rrethanave faktike relevante për çështjen civile, i pandehuri H. Y. i pranishëm në vendin e ngjarjes, me dashje, vetëdije dhe në mënyrë agresive, ndërhyn në zhvillimin e veprimit zyrtar të gjykatës, duke ndërmarr veprime të drejtpërdrejta kundër gjyqtares dhe duke cenuar integritetin e saj fizik, si dhe autoritetin dhe ushtrimin e pavarur të funksionit gjyqësor.

Më këto veprime i pandehuri H. Y. dyshohet të ketë kryer veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./lajmi.net/