Pas më shumë se një viti mungesë, kosovari humb lejen e përhershme të qëndrimit në Zvicër, i dënuar për vepra të ndryshme
Një shtetas i Kosovës, i cili jeton në Zvicër që nga viti 1998, ka humbur lejen e përhershme të qëndrimit C, pasi për më shumë se një vit nuk kishte qenë i qasshëm për autoritetet dhe nuk arriti të dëshmonte praninë e tij në territorin zviceran. Burri kishte marrë lejen C në vitin 2008. Megjithatë,…
Lajme
Një shtetas i Kosovës, i cili jeton në Zvicër që nga viti 1998, ka humbur lejen e përhershme të qëndrimit C, pasi për më shumë se një vit nuk kishte qenë i qasshëm për autoritetet dhe nuk arriti të dëshmonte praninë e tij në territorin zviceran.
Burri kishte marrë lejen C në vitin 2008. Megjithatë, gjatë viteve të mëvonshme ishte dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, përfshirë punësimin e paligjshëm të shtetasve të huaj, lëndimin trupor ndaj ish-bashkëshortes, shkeljen e ligjit për armët dhe falsifikimin e dokumenteve. Pavarësisht disa paralajmërimeve nga autoritetet për mundësinë e tërheqjes së lejes, çështja përfundoi me shuarjen e saj.
Në mars të vitit 2022, ai u dëbua nga banesa e tij në Friburg. Në atë kohë, autoritetet nuk arrinin më ta gjenin: telefoni i tij ishte çaktivizuar, letrat mbetën të pamarra dhe ish-bashkëshortja deklaroi se nuk kishte më kontakte me të, shkruan Berichterstatter.ch.
Në shtator të po atij viti, emri i tij u hoq nga regjistri i banorëve. Vetëm në mars të vitit 2023 ai u paraqit vullnetarisht në polici, por nuk mundi të deklaronte një adresë të përhershme. Në tetor të vitit 2023, u arrestua në një kantier ndërtimi për të vuajtur dënimet me burg. Pas lirimit me kusht, në shkurt të vitit 2025, ai u vendos në kantonin e Bernës, ku jeton me partneren e re dhe fëmijën e tyre të përbashkët.
Autoritetet e Friburgut konstatuan se leja e tij e qëndrimit kishte humbur vlefshmërinë automatikisht, pasi ai nuk kishte dëshmuar praninë në Zvicër për më shumë se gjashtë muaj, nga marsi i vitit 2022 deri në tetor të vitit 2023, transmeton tutje albinfo.ch.
Sipas ligjit zviceran për të huajt dhe integrimin, leja e përhershme e qëndrimit C shuhet me ligj nëse mbajtësi largohet nga Zvicra dhe qëndron jashtë vendit për më shumë se gjashtë muaj, pa e njoftuar largimin dhe pa kërkuar ruajtjen e lejes. Në këtë rast, shtetasi kosovar nuk arriti të paraqiste dokumente që do të dëshmonin praninë e tij në Zvicër, si kontratë banimi, kontratë pune, fatura apo gjoba.
Gjykata Federale e Zvicrës e konfirmoi vendimin e autoriteteve, duke vlerësuar se gjykatat kantonale i kishin shqyrtuar provat në mënyrë të rregullt. Sipas saj, barra për të dëshmuar qëndrimin në Zvicër i takonte vetë ankuesit, por ai nuk arriti ta përmbushte këtë detyrim.
Ndërkohë, mundësia që ai të përfitojë një leje të re qëndrimi për shkak të familjes së krijuar në kantonin e Bernës nuk ishte objekt i këtij procesi dhe duhet të shqyrtohet veçmas nga autoritetet e atij kantoni.