Thaçi: Do të dal me çdo qelizë të pastër si loti nga ky rrugëtim

Në faqen zyrtare në Facebook të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, është publikuar një mesazh në të cilin shprehet bindja se ai do të dëshmojë pafajësinë e tij në përfundim të procesit gjyqësor. Mesazhi është publikuar nga ekipi medial i Thaçit, ku përcillet falënderimi për të gjithë…

Lajme

05/11/2026 18:51

Në faqen zyrtare në Facebook të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, është publikuar një mesazh në të cilin shprehet bindja se ai do të dëshmojë pafajësinë e tij në përfundim të procesit gjyqësor.

Mesazhi është publikuar nga ekipi medial i Thaçit, ku përcillet falënderimi për të gjithë ata që vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë gjatë procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Në këtë postim theksohet se ish-presidenti mbetet i bindur se do të dalë i pastër nga ky proces, ndërsa rrugëtimin e tij e lidh me mbështetjen e njerëzve që, sipas mesazhit, nuk e kanë braktisur.

“Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dalë me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi, që vazhdon me ju dhe për ju!”, thuhet në mesazhin e publikuar në faqen e tij.

Thaçi ndodhet në Hagë, ku po përballet me procesin gjyqësor së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi./lajmi.net/