Kurti për Astrit Deharin: 10 vjet janë shumë për Kosovën dhe mbarë shqiptarët sepse mungon e vërteta e mbytjes së tij por edhe drejtësia për të
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në Facebook me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së aktivistit të VV-së. Astrit Deharit. Kurti në postimin e tij pretendon se 10 vjet janë shumë për Kosovën dhe për popullin shqiptarë, pasi sipas tij, mungon e vërteta e mbytjes së tij dhe drejtësia për të,…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në Facebook me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së aktivistit të VV-së. Astrit Deharit.
Kurti në postimin e tij pretendon se 10 vjet janë shumë për Kosovën dhe për popullin shqiptarë, pasi sipas tij, mungon e vërteta e mbytjes së tij dhe drejtësia për të, transmeton lajmi.net.
“Sot e asaj dite askush nuk është akuzuar, arrestuar, gjykuar e dënuar për rastin e Astrit Deharit.”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Së bashku me prindërit e familjarët e Astritit, shokë e aktivistë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe qytetarë të Republikës, bëmë homazhe dhe vendosëm lule të freskëta te varri i shokut tonë, aktivistit të shkëlqyeshëm e studentit shembullor, Astrit Dehari në dhjetëvjetorin e mbytjes së tij në burgun e Prizrenit.
Dhjetë vjet pa Astritin janë shumë, janë tepër shumë për familjen, për të gjithë ne që e njohëm, për të gjithë ne që bashkëpunuam me të, por janë edhe shumë për Republikën e Kosovës dhe mbarë shqiptarët sepse mungon e vërteta e mbytjes së tij, por edhe drejtësia për të. Dhjetë vjet më vonë ne ende nuk e dimë emrin e vrasësit, ndërkohë që pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij u patën nxituar institucionet e sigurisë e drejtësisë të japin konstatime para hetimeve. Sot e asaj dite askush nuk është akuzuar, arrestuar, gjykuar e dënuar për rastin e Astrit Deharit.
Astriti ka qenë punëtor i madh, të cilit i ka folur puna, ka qenë student i pandalshëm sepse studionte edhe përtej lëmisë së tij, por në të njëjtën kohë edhe një ri nga i cili mësonim edhe ne që ishim më të moshuar se ai, për shkak të talentit të tij mbi organizimin dhe politikën.
Astriti na mungon shumë e nuk do të ndalemi asnjëherë duke kërkuar drejtësi dhe si institucione, si zyrtarë shteti e si qytetarë Republike jemi më shumë se të gatshëm, të interesuar e të vullnetshëm që të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e drejtësisë në mënyrë që edhe të zbardhet e vërteta edhe të vihet në vend drejtësia.
Lavdi Astritit për gjithë angazhimin dhe kontributin e tij, të cilin e kemi udhërrëfyes sot e kësaj dite dhe do ta kemi për jetë e mot!/lajmi.net/