Avni Dehari në 10-vjetorin e vdekjes së Astritit: Prokuroria e zvarriti hetimin deri në skajshmëri, familja ende pret drejtësi

Dhjetë vjet pas vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, babai i tij, Avni Dehari, ka kërkuar që rasti të trajtohet me më shumë seriozitet dhe të zbardhen rrethanat e vdekjes së të birit. Gjatë homazheve të mbajtura sot, në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Avni Dehari…

Lajme

05/11/2026 10:22

Dhjetë vjet pas vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, babai i tij, Avni Dehari, ka kërkuar që rasti të trajtohet me më shumë seriozitet dhe të zbardhen rrethanat e vdekjes së të birit.

Gjatë homazheve të mbajtura sot, në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Avni Dehari ka thënë se një dekadë pa drejtësi ka qenë torturë për familjen, bashkëveprimtarët e të birit dhe qytetarët që presin zbardhjen e këtij rasti.

Ai ka kritikuar Prokurorinë për zvarritjen e hetimeve, duke pretenduar se që nga fillimi i rastit ka pasur deklarime dhe konstatime kundërthënëse lidhur me rrethanat e vdekjes.

Avni Dehari ka thënë se, sipas tij, hetimet janë përcjellë me qëndrime që synonin që rasti të trajtohej si vetëvrasje, ndonëse ekspertizat e ekspertëve të pavarur ligjorë dhe atyre ndërkombëtarë, përfshirë ekspertët zviceranë, kishin nxjerrë konstatime të tjera.

“Dhjetë vjet janë shumë për t’u zbardhur drejtësia. Dhjetë vjet janë torturë për ne si familje, për bashkëveprimtarët e Astritit, për qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë kufijve, të cilët presin se çfarë do të ndodhë me këtë rast që ende nuk po përmbyllet”, ka deklaruar ai.

Ai ka akuzuar Prokurorinë se, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, e ka zvarritur hetimin deri në skajshmëri.

“Ne presim që në të ardhmen ky rast të trajtohet më seriozisht dhe të kemi rezultate”, ka thënë Avni Dehari.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej në paraburgim. Rrethanat e vdekjes së tij kanë qenë objekt i debatit dhe kërkesave të vazhdueshme të familjes për zbardhjen e plotë të rastit. /Lajmi.net/