“Kjo është katastrofë”, republikanët fajësojnë Trumpin për humbjen në zgjedhje
Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara ka nxitur pakënaqësi brenda partisë, ku disa zyrtarë dhe strategë politikë po fajësojnë presidentin Donald Trump për rezultatin. Demokratët kanë fituar kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke i dhënë fund shumicës republikane në Kongres. Sipas BBC-së, tronditja fillestare brenda Partisë Republikane pas…
Bota
Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara ka nxitur pakënaqësi brenda partisë, ku disa zyrtarë dhe strategë politikë po fajësojnë presidentin Donald Trump për rezultatin.
Demokratët kanë fituar kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke i dhënë fund shumicës republikane në Kongres.
Sipas BBC-së, tronditja fillestare brenda Partisë Republikane pas rezultateve të së martës është shndërruar në zemërim ndaj Trumpit, politikat e të cilit po konsiderohen nga disa republikanë si shkaktarë të humbjes.
“Faji është i tij. Nuk është i askujt tjetër. Ky është një refuzim i plotë dhe absolut i presidentit Trump”, ka deklaruar për BBC-në Bill Miller, lobist i njohur republikan nga Teksasi.
“Kjo është një katastrofë e përmasave të mëdha. Askush nuk e kishte parashikuar një rezultat të tillë”, ka shtuar ai.
Demokratët kanë shënuar fitore edhe në shtete tradicionalisht republikane, përfshirë Teksasin, Kansasin dhe Karolinën e Jugut.
Disa republikanë argumentojnë se përqendrimi i Trumpit në trashëgiminë e tij politike dhe mungesa e vëmendjes ndaj shqetësimeve të votuesve i kanë kushtuar partisë kontrollin e Kongresit.
Strategu republikan nga Minesota, Gregg Peppin, ka kritikuar drejtimin politik të presidentit amerikan.
“Ishte një gabim pas tjetrit. Është e qartë se në shumë shtete njerëzve nuk u pëlqyen politikat e presidentit”, ka deklaruar Peppin.
Sipas BBC-së, një aleat i Shtëpisë së Bardhë ka vlerësuar se pakënaqësia e qytetarëve me luftën kundër Iranit, tarifat doganore dhe masat e ashpra ndaj emigracionit krijuan një kombinim faktorësh që ndikuan në rezultatin zgjedhor.
Ai ka thënë se brenda partisë ekziston një zhgënjim i madh për mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet dhe se një pjesë e konsiderueshme e pakënaqësisë drejtohet ndaj Trumpit.
BBC ka biseduar me rreth 12 anëtarë të Partisë Republikane, zyrtarë të fushatave, aleatë të Shtëpisë së Bardhë dhe persona të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor.