Në prag të 10-vjetorit të Astrit Deharit, dy zyrtarët që VV i akuzonte për montim të rastit largohen nga pozitat drejtuese në Polici
Në prag të 10-vjetorit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, vëmendja rikthehet te akuzat që kjo parti kishte bërë para gati një dekade ndaj dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës, Luan Keka dhe Fatos Makolli, të cilët i kishte akuzuar për montimin e rastit kundër aktivistëve të saj. Tash, kur Vetëvendosje është…
Lajme
Në prag të 10-vjetorit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, vëmendja rikthehet te akuzat që kjo parti kishte bërë para gati një dekade ndaj dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës, Luan Keka dhe Fatos Makolli, të cilët i kishte akuzuar për montimin e rastit kundër aktivistëve të saj.
Tash, kur Vetëvendosje është në pushtet dhe Xhelal Sveçla udhëheq Ministrinë e Punëve të Brendshme, të dy zyrtarët janë larguar nga pozitat që mbanin në strukturat qendrore të Policisë së Kosovës.
Ndryshimet në pozitat e tyre janë bërë në kohën kur Policia po kalon një proces të riorganizimit, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, rast që ka nxitur reagime të shumta për përgjegjësinë institucionale dhe mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës.
Më 3 nëntor, Policia e Kosovës konfirmoi se Luan Keka është caktuar drejtor rajonal në Gjilan, duke u larguar kështu nga pozita e drejtorit të Kundërterrorizmit në nivel qendror.
Ndërkaq, Fatos Makolli, i cili deri tani drejtonte Divizionin e Hetimeve, është transferuar në pozitën e këshilltarit në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Ky ndryshim për Makollin nënkupton largimin nga drejtimi i një divizioni që përfshin gjashtë drejtori, për të kaluar në një funksion këshillëdhënës.
Akuzat e Vetëvendosjes ndaj dy zyrtarëve
Emrat e Luan Kekës dhe Fatos Makollit ishin përmendur nga Lëvizja Vetëvendosje para rreth dhjetë vjetësh, në kohën kur aktivistët e saj po përballeshin me një proces penal të lidhur me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Në një publikim të asaj kohe, me titullin “KËTA JANË PËRGJEGJËSIT PËR MONTIMIN E RASTIT NDAJ AKTIVISTËVE”, partia kishte renditur disa zyrtarë policorë, duke i akuzuar për manipulim të provave dhe përndjekje të aktivistëve të saj.
Për Fatos Makollin, Vetëvendosje kishte shkruar:
“Ai është drejtues i një njësiti policor i cili ka falsifikuar e montuar prova duke dashur t’i çojë drejt dënimit aktivistët e VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm.”
Edhe ndaj Luan Kekës, partia kishte drejtuar akuza të rënda, duke e cilësuar si personin përgjegjës për atë që e konsideronte operacion të padrejtë policor.
“Ky është personi më meritor për këtë të keqe. Ky ka qenë udhëheqës i këtij operacioni të padrejtë”, thuhej në reagimin e atëhershëm të Vetëvendosjes.
Në të njëjtin publikim, partia kishte ngritur pretendime edhe për lidhjet e Kekës me persona dhe struktura politike të kohës, përfshirë klanin “Pronto” dhe PDK-në.
Këto ishin pretendime të Vetëvendosjes, të cilat partia i kishte lidhur me procesin gjyqësor ndaj aktivistëve të saj dhe me vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.
Ndryshimet në Polici pas rastit të Arlinda Zekajt
Transferimet e fundit të Kekës dhe Makollit kanë ndodhur në kuadër të ndryshimeve në strukturat e Policisë së Kosovës, pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm, Gazmend Hoxha, më 30 tetor, si dhe pezullimit të 11 zyrtarëve policorë lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Policia i ka arsyetuar ndryshimet me nevoja organizative dhe operacionale, por nuk ka dhënë shpjegime të veçanta për arsyet e transferimit të dy zyrtarëve nga pozitat e tyre të mëparshme.
Deri më tani, nuk është bërë e qartë nëse largimi i tyre nga funksionet qendrore ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me përgjegjësitë për dështimet e evidentuara në rastin e Arlinda Zekajt.
Ndërkaq, çështja e përgjegjësisë politike dhe institucionale në Policinë e Kosovës rikthehet në vëmendje edhe për shkak të deklarimeve të mëhershme të ministrit Xhelal Sveçla, i cili kishte thënë se Policia nuk është organ i pavarur, por agjenci qeveritare.
Pavarësisht ndryshimeve të fundit, Policia e Kosovës nuk ka sqaruar pse pikërisht në këtë periudhë janë larguar nga funksionet qendrore dy zyrtarët ndaj të cilëve Vetëvendosje kishte drejtuar akuza kaq të rënda para gati dhjetë vjetësh.
Më 5 nëntor 2026 bëhen 10 vite nga vdekja e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, një rast që vazhdon të jetë pjesë e debatit publik dhe politik në Kosovë. /Lajmi.net/