Raporti i BE-së: Kosova ngec në energji, kërkohet modernizimi i Kosova B dhe çmontimi i pjesëve të Kosova A
Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit për Kosovën, vlerëson se vendi ka arritur një nivel të caktuar të përgatitjes në fushën e energjisë, por ka shënuar vetëm përparim të kufizuar gjatë periudhës së raportimit. Si zhvillim pozitiv, në raport veçohen investimet në rritjen e efiçiencës së energjisë, përmes renovimit dhe përmirësimit të ndërtesave publike dhe…
Lajme
Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit për Kosovën, vlerëson se vendi ka arritur një nivel të caktuar të përgatitjes në fushën e energjisë, por ka shënuar vetëm përparim të kufizuar gjatë periudhës së raportimit.
Si zhvillim pozitiv, në raport veçohen investimet në rritjen e efiçiencës së energjisë, përmes renovimit dhe përmirësimit të ndërtesave publike dhe banesave private, raporton lajmi.net
Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se rekomandimet e dhëna në raportin e kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe mbeten ende kryesisht të vlefshme.

Në këtë drejtim, BE-ja kërkon nga Kosova miratimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP), si dhe të pakos së ligjeve për energjinë, me qëllim të harmonizimit me Pakon për Integrimin e Energjisë Elektrike.
Po ashtu, kërkohet organizimi i raundit të ardhshëm të ankandeve për energjinë e ripërtëritshme.
Një tjetër çështje e theksuar në raport është modernizimi mjedisor i Termocentralit Kosova B, si dhe vazhdimi i punimeve për çmontimin e pjesëve jofunksionale të Termocentralit Kosova A.
Komisioni Evropian kërkon gjithashtu zbatim më të mirë të legjislacionit për efiçiencën e energjisë, veçanërisht sa i përket performancës energjetike të ndërtesave, si dhe vazhdimin e investimeve në këtë fushë.
Raporti nënvizon se Kosova duhet të përshpejtojë reformat në sektorin e energjisë, në mënyrë që të përmbushë obligimet e saj dhe të përafrohet më tej me standardet e Bashkimit Evropian./Lajmi.net/