Flutura Kusari për Raportin e BE-së: Përmirësim i kufizuar për mediat, por kritikat tona janë përfshirë
Juristja për media, Flutura Kusari, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar se vendi ka shënuar përmirësim të kufizuar në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias. Kusari ka veçuar si zhvillim pozitiv faktin që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes strategjisë së re, u ka dhënë prioritet…
Lajme
Juristja për media, Flutura Kusari, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar se vendi ka shënuar përmirësim të kufizuar në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias.
Kusari ka veçuar si zhvillim pozitiv faktin që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes strategjisë së re, u ka dhënë prioritet rasteve që përfshijnë gazetarët, raporton lajmi.net
Sipas saj, ky vendim është i rëndësishëm, pasi do të ndikojë që rastet e shpifjes dhe fyerjes të mos mbeten për vite të tëra në sistemin gjyqësor.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu se Bashkimi Evropian ka marrë parasysh kritikat dhe shqetësimet e ngritura nga organizatat dhe përfaqësuesit e sektorit të medias në Kosovë.
Në reagimin e saj, Kusari ka përmendur se në raport janë përfshirë kritikat lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së, si dhe vendimet e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për ndëshkimin e mediave.
Ajo ka theksuar se këto zhvillime e motivojnë të vazhdojë angazhimin e saj në fushën e lirisë së medias.
Kusari ka bërë të ditur se raporti përmend edhe obligimet e Kosovës për transpozimin e direktivave dhe akteve evropiane, përfshirë Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe direktivën kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (Anti-SLAPP).
Po ashtu, sipas saj, kërkohet ndryshimi i Ligjit për KPM-në, Ligjit për RTK-në dhe Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve.
Në fund, Kusari ka vlerësuar edhe përmendjen e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) në këtë kapitull të raportit.
Ndërkaq, përmendjen e kryeministrit Albin Kurti në kapitullin përkatës, ajo ua ka lënë gazetarëve për ta trajtuar dhe raportuar./Lajmi.net/