Ministria e Ekonomisë ka ndarë 1 milion euro për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, në mbështetje të programeve për kursimin dhe përdorimin efikas të energjisë.
Marrëveshja për transferimin e mjeteve është nënshkruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha.
Sipas njoftimit të Ministrisë, që nga viti 2019, Qeveria ka ndarë gjithsej 10 milionë euro për mbështetjen e këtij Fondi.
“Përkrahja për Fondin është realizuar jo vetëm përmes ndarjeve buxhetore, por edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për sigurimin e financimit shtesë dhe zgjerimin e programeve që mbështesin familjet, ndërtesat shumëbanesore dhe institucionet publike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria poashtu ka shtuar se investimet në efiçiencën e energjisë kontribuojnë edhe në përmirësimin e kushteve të banimit, sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit.