Vrasja e Arlinda Zekajt, Ramadani: Komisioni hetimor parlamentar do të punojë mbi bazën e fakteve
Është konstituuar sot komisioni hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt. Në mbledhjen e parë të këtij komisioni u diskutua mbi veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin tragjik më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Kryetari i komisionit, Burim Ramadani është zotuar publikisht se komisioni do të punojë mbi faktet dhe argumentet reale mbi…
Lajme
Është konstituuar sot komisioni hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt. Në mbledhjen e parë të këtij komisioni u diskutua mbi veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin tragjik më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Kryetari i komisionit, Burim Ramadani është zotuar publikisht se komisioni do të punojë mbi faktet dhe argumentet reale mbi vrasjen e Arlinda Zekajt. Ai po ashtu tha se pret që puna e komisionit të mos politizohet.
“E kujtojmë që vrasja e Arlinda Zekajt është alarm për të gjithë ne dhe prandaj qëllimi është se ky komision të punojë mbi bazën e fakteve, dëshmive dhe përgjegjësive konkrete. Ky komision nuk është farsë, është komision që nuk do të bëjë raport politik, por do të bëjë raport mbi bazën e fakteve. Duke thënë për vete, si njëri prej jush, pres që secili të ketë synim të njëjtë, të mos e politizojmë komisionin, por ta kryejmë punën që na është besuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha Ramadani.
Ramadani njoftoi se në komision përfshihen tri faza, faza e hetimeve që përfshin mbledhjen e provave, vlerësimin e hetimeve dhe përgatitjen e raportit final.
“Asnjë grua në Kosovë nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi që është drejtuar shtetit për ndihmë dhe asnjë institucion nuk duhet të jetë mbi përgjegjësinë që e ka për të mbrojtur jetën e secilit qytetar të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Nënkryetar i komisionit hetimor është Adnan Rrustemi. Anëtarët janë Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu, Adelinë Tërshani, që të gjithë nga VV, Besa Kabashi-Ramaj, Eman Rrahmani nga PDK, Doarsa Kica-Xhelili LDK, Jovana Radosavleviq Lista Serbe, Emilia Rexhepi nga Grupi Multietnik.
Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, nga kunati i saj. 11 zyrtarë policorë janë suspenduar në lidhje me rastin. Po ashtu, janë suspenduar kryeprokurorja dhe prokurorja e Pejës, ndërsa dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.