Protesta për Arlinda Zekajn përfundon para Qeverisë, vendoset tendë si paralajmërim për vazhdimin e protestave

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në Prishtinë, në shenjë revolte për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka vazhduar edhe të premten, më 30 tetor. Me thirrjet “Drejtësi për gratë e vrara” dhe “Edhe sa gra të vrara, edhe sa thirrje të humbura”, protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga institucionet për…

Lajme

30/10/2026 19:46

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në Prishtinë, në shenjë revolte për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka vazhduar edhe të premten, më 30 tetor.

Me thirrjet “Drejtësi për gratë e vrara” dhe “Edhe sa gra të vrara, edhe sa thirrje të humbura”, protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga institucionet për trajtimin e rastit tragjik në Vitomiricë të Pejës, raporton lajmi.net

Marshimi nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, prej nga protestuesit vazhduan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Stacionit Policor “Qendra” dhe përfunduan para ndërtesës së Qeverisë.

Në përfundim të protestës, organizatorët vendosën një tendë para Qeverisë, si shenjë se protesta nuk do të ndalet, por pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Nën moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, protestuesit kërkojnë që institucionet të marrin masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave dhe të mbajnë përgjegjësi për rastet kur nuk ofrohet mbrojtja e nevojshme.

Protesta po mbahet pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës./Lajmi.net/