“Arlinda po t’i ishte drejtuar Qeverisë…” – Gërvalla nervozohet me gazetarët për deklaratën e saj: Dëgjojeni mirë, po bëheni pjesë pjesë ë një propagande

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka tentuar të sqarojë deklaratën e saj të bërë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, një ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kur kishte thënë se viktima fatkeqësisht nuk i ishte drejtuar Qeverisë për ndihmë. “Arlinda i është drejtuar drejtësisë dhe nuk ka marrë mbrojtjen e kërkuar. Fatkeqësisht, Arlinda nuk…

Lajme

30/10/2026 10:27

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka tentuar të sqarojë deklaratën e saj të bërë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, një ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kur kishte thënë se viktima fatkeqësisht nuk i ishte drejtuar Qeverisë për ndihmë.

“Arlinda i është drejtuar drejtësisë dhe nuk ka marrë mbrojtjen e kërkuar. Fatkeqësisht, Arlinda nuk i është drejtuar Qeverisë, ndoshta po t’i ishte drejtuar Qeverisë do të kishte pasur angazhim, gjithmonë duke respektuar rendin kushtetues të vendit tonë.”, kështu tekstualisht kishte thënë Donika Gërvalla në Kuvend.

Gjatë një deklarimi para mediave, Gërvalla tha se fjalët e saj ishin reagim ndaj deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila në Kuvend kishte pretenduar se Arlinda Zekaj i ishte drejtuar Qeverisë, por nuk kishte marrë ndihmën e nevojshme, transmeton lajmi.net.

Sipas ministres, bazuar në informacionet që kishin në atë kohë, Zekaj i ishte drejtuar Prokurorisë dhe jo Qeverisë, përmes një letre personale drejtuar kryeprokurores, e cila tashmë është suspenduar.

Në pyetjen që ia bëri gazetarja e lajmi.net në konferencë, Gërvalla kërkoj që të dëgjohet mirë se çka ka thënë dhe të mos bëhet një propagandë e përsëritur.

“Ju lus shumë që të mos e trajtoni si arrogancë, por vërtet është mirë që edhe ne, që jemi në krahun politik dhe në krahun medial, t’i dëgjojmë mirë deklaratat para se t’i përsërisim në mënyrë të vazhdueshme, sepse me apo pa dashje po i kontribuojmë njëfarë propagande që po përsëritet.

Reagimi im ka qenë në lidhje me deklaratën e Time Kadrijajt, e cila ka thënë se Arlinda Zekaj i është drejtuar Qeverisë dhe Qeveria s’ka ndërmarrë asgjë. Ai ka qenë deklarimi im ndaj asaj deklarate. Kam thënë se nuk është e vërtetë, por kam thënë se Arlinda Zekaj i është drejtuar Prokurorisë, pasi ajo i ishte drejtuar kryeprokurores me një letër personale.

Nuk kam thënë se i është drejtuar Qeverisë, por kemi çdo ditë qytetarë që vijnë në Ministrinë e Drejtësisë, qoftë në zyrën e koordinatores, qoftë në kabinetin tim, me ankesa. Ata nuk vijnë vetëm për rastet e dhunës në familje, por edhe për raste të tjera kur ndihen se drejtësia nuk është e drejtë me ta dhe na lusin t’i përkrahim e t’i mbështesim.

Nuk kam mundësi t’i them gjyqtarit: ‘Shihe ti këtë rast’, por ulemi me qytetarin ose komunikojmë me shkrim. Nuk e di nëse e dini, por çdo të martë, në Ministrinë e Drejtësisë, kabineti ka takime me qytetarë. Çdo ditë është plot dhe përpiqemi që, të paktën, t’i dëgjojmë, t’i orientojmë dhe t’i ndihmojmë në adresimin e shqetësimeve të tyre.

Sa më shumë që bashkëpunojmë gjyqësori, policia, niveli komunal, mediat dhe parlamenti, aq më i vogël do të jetë numri i grave viktima të dhunës”, ka deklaruar Gërvalla,./lajmi.net/