Sveçla nervozohet në konferencë, kapet me gazetarin: A po më tregon cila është përgjegjësia e Qeverisë, keni iluzione, më vjen keq

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e konsideron se Qeveria ka dështuar në rastin e Arlinda Zekajt, pavarësisht shkeljeve dhe lëshimeve të evidentuara në raportet institucionale për trajtimin e rastit të saj. Gjatë konferencës së përbashkët për media me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të mbajtur të premten, më 30 tetor, Sveçla u…

Lajme

30/10/2026 10:11

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e konsideron se Qeveria ka dështuar në rastin e Arlinda Zekajt, pavarësisht shkeljeve dhe lëshimeve të evidentuara në raportet institucionale për trajtimin e rastit të saj.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të mbajtur të premten, më 30 tetor, Sveçla u pyet nga gazetarët nëse Qeveria mban përgjegjësi për dështimet institucionale që i paraprinë vrasjes së 49-vjeçares, transmeton lajmi.net.

Në përgjigjen e tij, ministri kërkoi që gazetari të sqaronte se për cilën përgjegjësi të drejtpërdrejtë të Qeverisë po fliste.

Gazetari: A konsideroni se ka dështuar Qeveria?

Sveçla: Kush Qeveria? A po më tregon cila është përgjegjësia e Qeverisë?

Më tej, Sveçla tha se është e pamundur të pritet që sistemi të mos përballet me vështirësi gjatë qeverisjes.

“Nëse prisni që i gjithë sistemi nuk do të ketë vështirësi në qeverisje, atëherë keni iluzione, më vjen keq”, deklaroi ai.

Deklaratat e ministrit vijnë një ditë pasi Zyra e Kryeministrit pranoi raportet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhur me trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.

Ndër gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës janë mospërmbarimi i një urdhri mbrojtës të 7 shtatorit, vonesa prej gjashtë ditësh në zbatimin e një urdhri tjetër të 16 tetorit, si dhe mosshqyrtimi nga zinxhiri komandues i një kërkese të hetuesit policor për vlerësimin e rastit.

Ndërkohë, vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës ka nxitur protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, përfshirë dorëheqjen e ministrit Sveçla dhe ministres Gërvalla.

Për rastin është formuar edhe një Komision Hetimor Parlamentar, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar kryeprokuroren e Pejës dhe prokuroren e rastit./lajmi.net/