Kabashi-Ramaj: Një shtet që nuk arrin t’i mbrojë gratë e veta nuk mund të pretendojë se garanton sigurinë e qytetarëve

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke thënë se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi kur dështojnë ta mbrojnë jetën e qytetarëve. “Një shtet që nuk arrin t’i mbrojë gratë e veta, nuk mund të pretendojë se ka garantuar sigurinë e qytetarëve të tij”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj. Ajo…

Lajme

29/10/2026 11:29

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke thënë se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi kur dështojnë ta mbrojnë jetën e qytetarëve.

“Një shtet që nuk arrin t’i mbrojë gratë e veta, nuk mund të pretendojë se ka garantuar sigurinë e qytetarëve të tij”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj.

Ajo ka theksuar se Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë dhe kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik, duke iu drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Arlinda Zekaj kërkoi ndihmë, paralajmëroi se jeta e saj ishte në rrezik, iu drejtua institucioneve të Republikës së Kosovës. Nuk është më me ne. Si është e mundur që një grua t’i drejtohet shtetit për mbrojtje e megjithatë të përfundojë e vrarë?”, ka pyetur ajo.

Deputetja i është drejtuar edhe zëvendëskryeministrit, duke rikujtuar afatin prej 72 orësh që, sipas saj, ishte kërkuar për llogaridhënie lidhur me rastin.

“Zëvendëskryeministër, që sot fatkeqësisht nuk je këtu, sot kalojnë 72 orë që ju vetë i kërkuat për llogaridhënie. E nëse sot nuk kemi një raport të plotë, përgjegjësi të identifikuara me masa konkrete, madje edhe përgjegjësi penale për personat përgjegjës për rrezikimin dhe vdekjen e Arlindës, çfarë vlere ka fjala e një kryeministri?”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Ajo ka kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, duke theksuar se përgjegjësia e drejtuesve institucionalë duhet të kërkohet edhe kur sistemi dështon.

“Më e pakta që sot mund të bëni është shkarkimi i detyrueshëm i ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, sepse ministrat nuk janë aty vetëm për t’i drejtuar institucionet kur gjithçka shkon mirë. Janë aty për të mbajtur përgjegjësi edhe kur sistemi dështon”, ka deklaruar ajo. /Lajmi.net/