Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për largimin e tij nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Vendimi është marrë më 27 tetor 2026, pasi kolegji i Gjykatës Supreme vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që ankesa të shqyrtohet në kuadër të kompetencës së veçantë të kësaj gjykate për çështjet disiplinore, transmeton lajmi.net.
Sipas Supremes, largimi nga pozita udhëheqëse nuk nënkupton automatikisht se bëhet fjalë për një vendim disiplinor. Gjykata vlerësoi se vendimi i KPK-së ndaj Isufajt është akt individual me karakter administrativ, pasi ndaj tij nuk ishte konstatuar përgjegjësi disiplinore në atë procedurë.
Rrjedhimisht, ligjshmëria e vendimit mund të kontestohet përmes procedurës së konfliktit administrativ, para gjykatës kompetente.
KPK-ja e kishte larguar Isufajn nga pozita e kryeprokurorit më 2 tetor 2026, duke përmendur si arsye keqmenaxhimin, jokompetencën, dështimin në përmbushjen e detyrave dhe mospërmbushjen e standardeve të performancës. Pas largimit nga pozita udhëheqëse, Isufaj vazhdon të ushtrojë funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale, ndërsa Dren Paca është caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit.
Isufaj e kishte dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme më 9 tetor 2026, duke kundërshtuar vendimin e KPK-së.
Vendimi i fundit i Supremes nuk përbën shqyrtim në themel të ligjshmërisë së largimit të tij nga pozita udhëheqëse, por përcakton se ankesa e paraqitur në këtë procedurë është e palejuar.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Supreme e Kosovës e hedh si të palejuar ankesën kundër vendimit të KPK-së, për largimin e Kryeprokurorit nga pozita udhëheqëse
Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 27 tetor 2026, ka nxjerrë aktvendim me të cilin e ka hedhur si të palejuar ankesën e B.I., Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të paraqitur kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nr. 695/2026, të datës 2 tetor 2026, lidhur me largimin e tij nga pozita udhëheqëse.
Pas shqyrtimit të lejueshmërisë së ankesës, në kuptim të nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe në lidhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Konfliktet Administrative, Gjykata Supreme ka konstatuar se ankesa është e palejuar.
Gjatë vlerësimit, Gjykata ka marrë parasysh natyrën juridike të vendimit të kontestuar, bazën ligjore mbi të cilën është nxjerrë dhe procedurën në kuadër të së cilës është marrë, duke ardhur në përfundimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e ankesës nga Gjykata Supreme në kuadër të kompetencës së veçantë të përcaktuar me nenin 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Sipas vlerësimit të kolegjit të Gjykatës Supreme, fakti që një vendim i Këshillit sjell ndërprerjen e ushtrimit të funksionit ose pozitës udhëheqëse të kryeprokurorit nuk përcakton, në vetvete, natyrën disiplinore të atij vendimi. Që një vendim të cilësohet si disiplinor, kërkohet që, për nga përmbajtja dhe procedura e zhvilluar, ai të ketë për objekt konstatimin e përgjegjësisë disiplinore dhe përcaktimin e pasojave juridike që rrjedhin nga kjo përgjegjësi, në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Në rastin konkret, Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimi i KPK-së për largimin e kryeprokurorit nga pozita udhëheqëse është nxjerrë në bazë të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa u konstatuar përgjegjësia disiplinore e ankuesit. Për këtë arsye, vendimi i kontestuar, për nga natyra e tij juridike, përbën akt individual me karakter administrativ dhe jo vendim disiplinor në kuptim të ligjit përkatës.
Rrjedhimisht, ligjshmëria e këtij vendimi i nënshtrohet kontrollit gjyqësor në procedurën e konfliktit administrativ, para gjykatës me kompetencë lëndore, sipas legjislacionit në fuqi. Ky vlerësim mbështetet në nenet 1, 4 dhe 10, paragrafi 2, të Ligjit për Konfliktet Administrative, si dhe në këshillën juridike të dhënë në vetë vendimin e kontestuar.
Për këto arsye, duke qenë se nuk ekziston bazë e mjaftueshme ligjore për ushtrimin e kompetencës së veçantë të Gjykatës Supreme, të përcaktuar me nenin 15 të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur që ankesën e ankuesit ta hedhë si të palejuar./lajmi.net/