Djali 12-vjeçar i Arlinda Zekajt ndodhet në strehimore pas vrasjes së nënës së tij

Fëmija rreth 12-vjeçar i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndodhet në njërën prej strehimoreve në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. “Kjo është kompetencë e QPS-së. Nga informata që kemi është në një nga strehimoret në Republikën e…

Lajme

27/10/2026 12:57

Fëmija rreth 12-vjeçar i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndodhet në njërën prej strehimoreve në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Kjo është kompetencë e QPS-së. Nga informata që kemi është në një nga strehimoret në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Nikçi.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe Qendrën për Punë Sociale (QPS) për të marrë informacione lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime, pasi vetëm tri ditë para se të vritej, ajo i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke shprehur shqetësimet e saj lidhur me trajtimin e rastit.

Sipas Prokurorisë, më 23 tetor ishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për kanosje në marrëdhënie familjare. Zekaj ishte vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për vrasjen, sipas informatave të publikuara, ndodhet në arrati.

Pas rastit, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për të sqaruar nëse ka pasur lëshime në trajtimin e tij, ndërsa edhe Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprime verifikuese lidhur me trajtimin e raportimeve të mëparshme të Zekajt.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti është deklaruar sot lidhur me rastin, duke bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë për të dorëzuar raportin që do të sqarojë se ku kanë dështuar hallkat e zinxhirit institucional.

Kurti ka thënë se pas vrasjes së Zekajt, reforma në sistemin e drejtësisë është urgjente, ndërsa ka paralajmëruar se do të ketë masa në përputhje me ligjin dhe rregulloret.

“Hetim hetuesve, aktakuza prokurorëve, e gjykim gjykatësve”, ka deklaruar Kurti, duke kërkuar që rasti të ndriçohet deri në fund dhe të shqyrtohet edhe trajtimi i rasteve të ngjashme të dhunës ndaj grave. /Lajmi.net/