​Haxhiu i del në mbrojtje Gërvallës: Nëse keni sulme, më sulmoni mua, më kërkoni dorëheqjen

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dalë në mbrojtje ministres Donika Gërvalla, pas kritikave dhe kërkesave për dorëheqjen e saj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Haxhiu tha se nuk është korrekte që kritikat t’i drejtohen Gërvallës. Haxhiu tha se gjatë…

Lajme

26/10/2026 20:01

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dalë në mbrojtje ministres Donika Gërvalla, pas kritikave dhe kërkesave për dorëheqjen e saj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Haxhiu tha se nuk është korrekte që kritikat t’i drejtohen Gërvallës.

Haxhiu tha se gjatë mandatit të saj si ministre ishte përballur me sfida të mëdha në adresimin e dhunës ndaj grave, duke pretenduar se para vitit 2021 nuk kishte pasur vazhdimësi institucionale dhe veprime konkrete në këtë drejtim.

“Dy prej çështjeve për të cilat asnjëherë nuk janë ndërmarrë veprime ndaj institucioneve para 2021 është pikërisht rasti i femicidit, dhunës në familje, vrasjen e grave por edhe rastet e krimeve të luftës. Unë si ministre në atë kohë jam ballafaquar me sfida të mëdha, sepse nuk kam gjetur as zyrë, as dokument e vazhdimësi institucionale ku është dashur me u bazua dhe me vazhdua ndërmarrjen e veprimeve. Pikërisht për këtë arsyeje, unë kam kërkuar ëteherë nga komisioni për të drejtat e njeriut që koordinatori nacional për adresimin e dhunës në familje të jetë pikërisht ministri i drejtësisë, për të ngritur përgjegjësinë institucionale. Kam pasur shumë raste kur më kanë thënë pse po merresh me raste të dhunës në familje, ajo është çështje brenda mureve të shtëpisë jo çështje e jotja, bëje vetingun. Përkundër këtyre deklarimeve nuk jam ndalur për asnjë moment gjatë mandatit tim si ministre e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Ajo kritikoi edhe qasjen e disa zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë ndaj viktimave të dhunës në familje, duke theksuar se pavarësia institucionale duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe trajtim pa paragjykime të viktimave.

“Më duket jo korrekte që sulmet sot dhe nuk ka të bëjë që jemi në të njëjtin koalicion, sulmet sot ti drejtohen ministres Gërvalla, kjo nuk është në rregull. Nëse keni sulme, më sulmoni mua, më kërkoni që të dorëhiqem nga kryetarja e kuvendit, por unë po ju njoftoj që gjithçka çka kam pasur përgjegjësi e kam adresuar. Problemin e kemi se në republikë kemi ende policë, prokurorë e gjyqtarë që thotë “çka me bo në martesë ka edhe dajak” epo ja që nuk ka. Mund të ketë mospajtime ndërmjet partnerëve, por ato me dhunë psikike, seksuale e financiare nuk zgjidhen. Secili prokurorë, gjyqtarë, një polic, zyrtarë në qendrën për punë sociale ta trajtoj viktimën pa asnjë paragjykim”, tha Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit u bëri thirrje grave që të mos e durojnë dhunën, ndërsa kërkoi nga institucionet e drejtësisë të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë që kanë për mbrojtjen e viktimave.