Musliu: Pyesni veten çfarë duhet të bëjmë që të mos ketë viktimë tjetër të vrasjes – Kërkoj përgjegjësi të plotë nga secili që ka neglizhuar rastin

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës. Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka pyetur se çfarë po bëjmë që vrasjet të mos përsëriten. “Një shoqëri nuk matet vetëm me mënyrën se si i vajton viktimat, por edhe me atë…

Lajme

26/10/2026 10:53

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka pyetur se çfarë po bëjmë që vrasjet të mos përsëriten.

“Një shoqëri nuk matet vetëm me mënyrën se si i vajton viktimat, por edhe me atë se sa bën për t’i mbrojtur njerëzit e saj, para se të jetë tepër vonë. Dënoj ashpër çdo vrasje që ndodh në Kosovë, sepse askush nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën tjetrit, për asnjë arsye dhe në asnjë rrethanë. Por, sa herë që vritet një grua, nuk mjafton vetëm ta dënojmë krimin, të shprehim keqardhje dhe të vazhdojmë tutje sikur asgjë të mos ketë ndodhur”, ka shtuar Musliu.

Ajo ka thënë se sot duhet ta pyesim veten se çfarë nuk ka funksionuar, çfarë mund të parandalohej dhe çfarë duhet të bëjmë ndryshe që të mos ketë viktimë tjetër.

“Sepse reagimi pas vrasjes është i domosdoshëm, por parandalimi është përgjegjësi dhe domosdoshmëri. Nuk duhet të mësohemi me vrasjet. Nuk duhet ta normalizojmë dhunën. Dhe nuk duhet të presim tragjedinë e radhës për ta kuptuar se fjalët, pa veprime konkrete, nuk e shpëtojnë askënd. Sot duke kërkuar përgjegjësi të plotë nga secili qe mund të këtë neglizhu këtë rast dhe denim maksimal për vrasesin: Me dhimbje të thellë shpreh ngushëllimet e mia për fëmijën dhe familjen e viktimës në Vitomiricë të Pejës. Në këto momente të rënda, u shpreh solidaritetin tim të sinqertë duke u dëshiruar forcë për ta përballuar këtë humbje të pariparueshme”, ka shkruar Musliu. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: