Vrasja e Arlinda Zekajt: Avokatja kishte denoncuar prokuroren për shkelje të rënda dhe kishte kërkuar hetim disiplinor
Dokumente të reja, të publikuara nga Gazeta Sinjali, ngrenë dyshime të tjera për veprimet e institucioneve përpara vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Në një ankesë zyrtare, avokatja Adelina R. Hoxha kishte kërkuar hetim disiplinor ndaj prokurores Suada Hamza, duke pretenduar shkelje të rënda gjatë trajtimit të rastit. Ankesa përmban pretendime për mosveprim…
Lajme
Dokumente të reja, të publikuara nga Gazeta Sinjali, ngrenë dyshime të tjera për veprimet e institucioneve përpara vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Në një ankesë zyrtare, avokatja Adelina R. Hoxha kishte kërkuar hetim disiplinor ndaj prokurores Suada Hamza, duke pretenduar shkelje të rënda gjatë trajtimit të rastit.
Ankesa përmban pretendime për mosveprim të Prokurorisë, mosruajtje të provave dhe shkelje të procedurave ligjore gjatë intervistimit të një fëmije.
Si nisi gjithçka?
Tri ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës: Kërkoi hetimin e zyrtarëve
Sipas dokumentit, fëmija ishte marrë në pyetje pa praninë dhe asistencën efektive të psikologut apo një profesionisti për komunikimin me fëmijët.
Avokatja pretendonte gjithashtu se Prokuroria nuk kishte urdhëruar menjëherë sigurimin e incizimeve të kamerave dhe dokumentimin e plotë të vendit të ngjarjes.
Dokumenti përmend edhe dyshimet për ndikim mbi deklarimin e fëmijës, si dhe vendosjen e tij te një person i tretë pa vlerësimin përkatës.
Avokatja kërkonte verifikimin e udhëzimeve të Prokurorisë, ruajtjen e komunikimeve zyrtare dhe nisjen e procedurave disiplinore për pakujdesi të rëndë profesionale.
“Për këto arsye, ekziston bazë e mjaftueshme për fillimin e një hetimi të plotë disiplinor”, thuhet në përfundimin e ankesës.
Nuk dihet nëse ankesa është shqyrtuar apo çfarë vendimi është marrë për të.
Ndërkohë, Policia e Kosovës konfirmoi se më 25 tetor, rreth orës 19:00, kishte pranuar informacion për dhunë në familje në Vitomiricë.
Zekaj ishte shoqëruar në stacionin policor dhe ishte intervistuar, ndërsa bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
“Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë”, njoftoi Policia.
Rreth orës 21:10, autoritetet u njoftuan se gruaja ishte gjetur pa shenja jete.
Dyshohet se ishte goditur me një mjet të fortë.
Çfarë ndodhi më pas?
Prokuroria e Pejës kishte hedhur poshtë ankesën e avokates për shkelje në rastin e Arlinda Zekajt
Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili, sipas njoftimit fillestar policor, ndodhej në arrati.
Vetëm tri ditë përpara vrasjes, më 22 tetor, Zekaj kishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Pejës një letër urgjente.
Në dokumentin e publikuar në media, ajo paralajmëronte për rrezikun ndaj jetës dhe kërkonte zbatimin e një urdhri gjyqësor.
Ajo kërkonte gjithashtu hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrimeve, duke përmendur Qendrën për Punë Sociale.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”
Tri ditë pas këtij paralajmërimi, Arlinda Zekaj u vra.