Pas “kërcënimit” nga oficeri i policisë, Capital T: Gjithçka është OK, shihemi shpejt në Shqipëri

Reperi kosovar Capital T ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi të një telefonate mes tij dhe një personi që dyshohet se është oficer i Policisë së Tiranës, duke deklaruar se gjithçka është në rregull dhe se së shpejti do të shkojë në Shqipëri. Pa iu referuar drejtpërdrejt incizimit, artisti ka shprehur mbështetjen e tij…

ShowBiz

23/10/2026 10:20

Reperi kosovar Capital T ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi të një telefonate mes tij dhe një personi që dyshohet se është oficer i Policisë së Tiranës, duke deklaruar se gjithçka është në rregull dhe se së shpejti do të shkojë në Shqipëri.

Pa iu referuar drejtpërdrejt incizimit, artisti ka shprehur mbështetjen e tij për studentët dhe protestuesit në Shqipëri, duke thënë se nuk mund të qëndrojë indiferent përballë asaj që e konsideron padrejtësi.

“Normal që kena me reagu, absolutisht që jam në suport të studentëve, në suport të njerëzve të mi për çdo lloj kauze që ka të bëjë me të drejtat e tyre”, është shprehur Capital T.

Ai ka thënë se i dhemb zemra kur e sheh Shqipërinë në këtë gjendje, duke theksuar se nuk mund të vazhdojë aktivitetet e tij muzikore sikur gjithçka të ishte në rregull, derisa sheh skena dhune dhe shkatërrimi.

Reperi ka shtuar se do të jetë gjithmonë në mbështetje të njerëzve dhe kauzave që lidhen me të drejtat e tyre, ndërsa ka shprehur shpresën që zëri i studentëve të dëgjohet dhe dhuna të ndërpritet sa më shpejt.

Në fund, Capital T iu drejtua edhe atyre që e kanë telefonuar dhe janë shqetësuar për të, duke thënë se nuk ka ndonjë problem dhe se së shpejti do të shihet në Shqipëri.

“Gjithçka është OK, nuk është najfarë problematike kjo, kurgjo. Është diçka super normale edhe shihemi shpejt në Shqipni. Ju dua”, ka deklaruar ai.

Çfarë dihet për audio-incizimin?

Dy ditë më parë, u publikua një audio-incizim i një telefonate mes Capital T-së, emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi, dhe një personi që dyshohet se është oficer i Policisë së Tiranës.

Sipas portalit Dosja.al, i cili pretendon se e ka siguruar incizimin, oficeri i identifikuar si Niko Kurti e ka telefonuar reperin për ta pyetur se ku ndodhej dhe kur planifikonte të kthehej në Tiranë.

Gjatë bisedës, Capital T i ka thënë bashkëbiseduesit se ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ende nuk e kishte caktuar një datë për kthimin e tij.

Sipas përmbajtjes së publikuar nga Dosja.al, personi në telefon e ka pyetur nëse po fliste me Trimin Ademi dhe më pas i ka thënë se dëshironte të diskutonin për një çështje të caktuar, por jo përmes telefonit.

Në përfundim të bisedës, ai i ka kërkuar reperit që, pas kthimit nga Amerika, ta kontaktojë sërish dhe të paraqitet në vendin e tij të punës për të biseduar nga afër.

Deri më tani, në materialin e paraqitur nuk ka konfirmim të pavarur për identitetin e personit në telefon apo për arsyen e saktë të kontaktimit të reperit.