PDK në mbledhje, pasi i kanë kërkuar Presidentës ta rikthej Ligjin për Specialen në Kuvend
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka kërkuar zyrtarisht presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të rikthehet në Kuvend për rishqyrtim. Ndërkohë, sipas burimeve të Lajmi.net, në këto momente është duke u zhvilluar një mbledhje e PDK-së. Përmes një letre zyrtare, Grupi Parlamentar i…
Lajme
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka kërkuar zyrtarisht presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të rikthehet në Kuvend për rishqyrtim.
Ndërkohë, sipas burimeve të Lajmi.net, në këto momente është duke u zhvilluar një mbledhje e PDK-së.
Përmes një letre zyrtare, Grupi Parlamentar i PDK-së i ka kërkuar presidentes rikthimin në Kuvend të Ligjit Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
PDK-ja ka bërë të ditur se, pas konsultimeve të gjera, vlerëson se rishqyrtimi i ligjit do të mundësonte plotësimin e disa dispozitave dhe forcimin e sigurisë juridike, me synimin për të garantuar të drejtat kushtetuese të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në njoftimin e saj, kjo parti ka theksuar se ligji është përfunduar në pjesën dërrmuese të tij dhe se kthimi në Kuvend synon një verifikim përfundimtar profesional, si dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij.
PDK-ja ka sqaruar se kërkesa është për rikthimin e ligjit në Kuvend, e jo në Qeveri, apo për nisjen e procesit nga e para.
“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi”, thuhet në njoftim.
Partia ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar, përfshirë Avokatin e Popullit, që t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete për përmirësimin e ligjit.
PDK-ja ka shprehur pritjen që ligji, i miratuar më 6 tetor 2026, të miratohet sërish brenda katër javësh, duke theksuar se procesi duhet të përmbyllet pa vonesa të panevojshme.
Po ashtu, kjo parti ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore lidhur me apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Zhvillimet e fundit vijnë në kohën kur është raportuar për mundësinë e rikthimit të ligjit nga presidentja në Kuvend për rishqyrtim./lajmi.net/