Kurti kërkon që Kosova të bëhet vend kandidat për BE-në, flet për rrezikun nga Serbia dhe gjendjen e shqiptarëve në Luginë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave për anëtarësim, duke kritikuar vonesën në shqyrtimin e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Në fjalimin e tij në seancën plenare të Samitit XIII të…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave për anëtarësim, duke kritikuar vonesën në shqyrtimin e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Në fjalimin e tij në seancën plenare të Samitit XIII të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Mal të Zi, Kurti tha se Kosova i ka përmbushur përgjegjësitë e saj, ndërsa tashmë i takon BE-së të ndërmarrë hapat e radhës, shkruan lajmi.net.
“Ne kemi bërë atë që na përkiste vetëm neve të bënim. Aplikimi i Kosovës po pret, që nga dhjetori i vitit 2022, për një vendim që i përket ekskluzivisht BE-së. Deri atëherë, mbetemi i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat”, deklaroi Kurti.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të kërkojnë opinionin e Komisionit Evropian, t’i japin Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapin negociatat për anëtarësim.
Kryeministri vlerësoi se Kosova ka shënuar përparim në demokraci, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit, duke theksuar se vendi mbetet i përkushtuar ndaj vlerave evropiane.
“Ne i qëndrojmë vlerave të Nenit 2, dhe vlerësimet e pavarura na vendosin ndër shtetet me përparimin më të madh demokratik në Evropën Juglindore, nga lufta kundër korrupsionit deri te sundimi i ligjit”, u shpreh ai.
Kurti theksoi gjithashtu se Kosova i ka zbatuar që nga dita e parë të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të orientimit të qartë të vendit drejt Evropës.
Kurti përmend përfitimet ekonomike nga integrimi evropian
Gjatë fjalimit, Kurti foli edhe për përfitimet që integrimi gradual evropian mund t’u sjellë qytetarëve të Kosovës.
Ai përmendi përfshirjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), përshpejtimin e tregtisë përmes korridoreve të gjelbra dhe uljen e kostove të roamingut.
Sipas tij, përmes SEPA-s, qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e diasporës pritet të kursejnë 58 milionë euro në vit.
“Sulmi ndaj Kosovës është sulm ndaj gjithë Evropës”
Një pjesë të fjalimit, kryeministri ia kushtoi edhe sigurisë në rajon, duke përmendur sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë, në nëntor të vitit 2024.
Kurti akuzoi Serbinë për përpjekje për destabilizimin e Kosovës, ndërsa tha se Milan Radoiçiq, të cilin e cilësoi si përgjegjës për sulmin në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë.
Ai kërkoi reagim më të vendosur ndaj sulmeve që, sipas tij, cenojnë sigurinë e demokracive evropiane, duke e vënë theksin edhe te rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”, tha Kurti.
Ai paralajmëroi se përpjekjet për të ruajtur stabilitetin përmes kompromiseve në kurriz të demokracive fqinje janë të rrezikshme.
“Blerja e stabilitetit në kurriz të demokracive fqinje është dëshmuar mit i rrezikshëm, sepse ata që krijojnë jostabilitet nuk mund të garantojnë stabilitet”, deklaroi ai.
Kurti kërkon vëmendje për shqiptarët në Luginën e Preshevës
Në fjalimin e tij, Kurti ngriti edhe çështjen e të drejtave të pakicave në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar që kjo temë të trajtohet më seriozisht në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve të samitit që t’i kushtojnë vëmendje gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për të cilët tha se po përballen me vështirësi në pjesëmarrjen institucionale dhe në jetën publike.
“Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi”, u shpreh Kurti.
Në përfundim të fjalimit, kryeministri theksoi se dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë në themel të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. /Lajmi.net/