Kryeministri i Malit të Zi: Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë, zgjerimi i BE-së sjell paqe dhe siguri
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe respektimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar një perspektivë të qartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Në fjalën hyrëse të Samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, Spajiç ka thënë se e ardhmja e…
Lajme
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe respektimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar një perspektivë të qartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në fjalën hyrëse të Samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, Spajiç ka thënë se e ardhmja e Evropës duhet të ndërtohet mbi sigurinë, paqen dhe të drejtën e çdo populli për të vendosur për të ardhmen e vet.
Spajiç ka vënë theksin te rëndësia e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një proces që kontribuon në paqen dhe sigurinë e kontinentit.
“Ruajtja e paqes nënkupton se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe çdo komb ka të drejtë të zgjedhë të ardhmen e vet. Evropa duhet të ketë qartësinë e njëjtë për zgjerimin. Zgjerimi është riunifikimi i kontinentit tonë, është premtim i vazhdueshëm i paqes dhe sigurisë në Evropë, që mbetet shpresa e shtëpisë sonë të përbashkët”, tha ai.
Samiti i Procesit të Berlinit mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të vendeve të Bashkimit Evropian, me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të avancuar integrimin evropian të rajonit.
Kosovën në këtë samit po e përfaqëson kryeministri Albin Kurti.