Ish-ambasadorja Lama porosit Vetëvendosjen të mos përzihen në protestat në Shqipëri
Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka vlerësuar se Kosova nuk duhet të përfshihet në debatin për protestat e dhunshme që po zhvillohen prej dhjetë ditësh në Tiranë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Sipas saj, çdo ndërhyrje nga Kosova mund të përdoret për qëllime të brendshme politike dhe të…
Lajme
Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka vlerësuar se Kosova nuk duhet të përfshihet në debatin për protestat e dhunshme që po zhvillohen prej dhjetë ditësh në Tiranë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Sipas saj, çdo ndërhyrje nga Kosova mund të përdoret për qëllime të brendshme politike dhe të krijojë tensione edhe në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
“Po, mendoj që është qasja e duhur, sepse protestat bëhen për çështje ekskluzivisht të brendshme, që lidhen me qeverisjen, me korrupsionin, me ligje të caktuara në Shqipëri, me të drejtat e studentëve, të cilët kërkojnë kushte më të mira. Pra, lidhen kryesisht me probleme ekonomike dhe me sundimin e ligjit dhe nuk janë çështje të politikës së jashtme. Kështu që Kosovës, si shtet tjetër, nuk i takon fare të ndërhyjë, sepse çfarëdo lloj ndërhyrjeje shkakton probleme. Mund të përdoret si argument se ‘ja, i ndihmuan ky apo ai’, duke shkaktuar probleme të brendshme politike, por edhe probleme ndërmjet shteteve”, tha Lama.
Ish-deputetja e LDK-së ka kërkuar që përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje të mos përfshihen në protestat në Shqipëri, teka ka përmendur edhe deklaratën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi ndaljen e dhunës, por edhe marrjen parasysh të kërkesave të studentëve.
“Ka pasur një deklaratë nga ana e kryetares së Kuvendit, të cilën më pas e korrigjoi vetë, por ka pasur gjithashtu edhe akuza se njerëz të Vetëvendosjes janë përfshirë në protesta. Është e rëndësishme që të mos përfshihen, sepse këto janë probleme tërësisht të brendshme, mendoj unë”, shtoi ajo.
Duke folur për protestat në kryeqytetin shqiptar, Lama ka vlerësuar se përshkallëzimi i dhunës dhe mosplotësimi i kërkesave të protestuesve mund të çojnë drejt radikalizimit dhe masivizimit të protestave, deri në një ndryshim politik në Shqipëri.
“Po, i kam parë me shumë shqetësim, sepse protestat tani kanë përshkallëzuar në dhunë, pas katër muajsh protestash paqësore. Kërkesat e protestuesve nuk u dëgjuan dhe nuk u morën parasysh nga qeveria. Tani protestat kanë përshkallëzuar, janë përfshirë edhe studentët dhe fakti që ato kanë degjeneruar në dhunë u jep një dimension tjetër, i cili mund të bëhet edhe i pakontrollueshëm. Është e qartë se protestuesit nuk bëjnë asnjë lloj kompromisi. Ata kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, nuk ka dialog me ta dhe kjo është një kërkesë e panegociueshme e tyre. Ata kërkojnë krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Nga ana tjetër, kemi qëndrimin e qeverisë dhe të zotit Rama, i cili nuk jep dorëheqje. Nuk po shoh se do të ketë një zgjidhje të afërt, përveçse përmes radikalizimit. Pra, parashikoj radikalizim dhe masivizim të protestave, deri në një ndryshim politik, të cilin protestuesit po e kërkojnë”, theksoi Lama.
Ajo ka paralajmëruar se përshkallëzimi i dhunës mund të ketë pasoja përtej përplasjeve të drejtpërdrejta mes protestuesve dhe policisë, duke rrezikuar funksionimin e institucioneve dhe duke ndikuar edhe në imazhin e Shqipërisë.
“Tani rreziqet janë të shumta, sipas mendimit tim, sepse dhuna mund të përshkallëzohet në të gjithë Shqipërinë dhe pastaj do të jetë e pamundur që edhe forcat e policisë ta mbajnë nën kontroll. Dhuna, sigurisht, sjell shumë pasoja në Shqipëri, jo vetëm për imazhin e vendit, por edhe për vetë funksionimin e institucioneve. Nuk mendoj se protestat e dhunshme dhe përplasjet me policinë mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë. Edhe qasjen për t’i ndaluar protestuesit të protestojnë e konsideroj të gabuar. Mendoj se më mirë është të plotësohen kërkesat e tyre”, potencoi ajo.
Prej dhjetë ditësh, studentët në Shqipëri po protestojnë, ndërsa në mbështetje të tyre janë bashkuar edhe pedagogët e universiteteve të cilët kanë paralajmëruar bojkotimin e mësimit.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka deklaruar se nuk e mendon dorëheqjen, ndërsa ka përsëritur thirrjen për dialog. Megjithatë, ai ka theksuar se nuk pranon të ulet në tryezë me personat që ushtrojnë dhunë.
Kreu i qeverisë ka thënë se është i hapur për të dëgjuar kërkesat e protestuesve paqësorë, ndërsa ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj atyre që përfshihen në akte dhune.
Sipas Policisë së Shqipërisë, gjatë këtyre ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar 271 persona.