Inspektorati i Punës ndalon punimet në katër objekte ndërtimi në Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në katër objekte ndërtimi në Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan, për shkak të parregullsive të evidentuara në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Sipas njoftimit të këtij institucioni, gjatë inspektimeve në terren janë konstatuar mangësi në katër objekte ndërtimi, dy prej të cilave ndodhen në Gjakovë, një…

Lajme

21/10/2026 16:21

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në katër objekte ndërtimi në Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan, për shkak të parregullsive të evidentuara në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit të këtij institucioni, gjatë inspektimeve në terren janë konstatuar mangësi në katër objekte ndërtimi, dy prej të cilave ndodhen në Gjakovë, një në Ferizaj dhe një në Gjilan, shkruan lajmi.net.

Inspektorati ka bërë të ditur se vendimet për ndalimin e përkohshëm të punimeve janë marrë për shkak të mungesës së masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve.

“Për shkak të mungesës së masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës”, thuhet në njoftim.

Punimet në këto objekte do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e parregullsive të konstatuara dhe përmbushjen e kushteve të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve. /Lajmi.net/