Ylli i Kombëtares Shqiptare i jep fund karrierës futbollistike
Armando Sadiku i jep fund karrierës si futbollist në moshën 35-vjeçare. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe një video me momentet më të rëndësishme të karrierës së tij. “Faleminderit, futboll! Do të më mungosh”, shkroi Sadiku, duke i dhënë lamtumirën futbollit të luajtur…
Sport
Armando Sadiku i jep fund karrierës si futbollist në moshën 35-vjeçare. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe një video me momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.
“Faleminderit, futboll! Do të më mungosh”, shkroi Sadiku, duke i dhënë lamtumirën futbollit të luajtur pas një karriere të gjatë.
Megjithatë, 35-vjeçari nuk do të largohet nga futbolli, pasi do ta nisë një kapitull të ri në rolin e drejtorit sportiv të Bellinzonës në Zvicër, emërim që ishte konfirmuar ditë më parë nga vetë klubi zviceran.
Sadiku është njëri prej golashënuesve më të mirë në historinë e Kombëtares shqiptare. Ai ka realizuar 12 gola në 38 paraqitje me fanellën kuqezi.
Momenti më i veçantë i karrierës së tij mbetet goli historik ndaj Rumanisë në Kampionatin Evropian të vitit 2016 në Francë. Ai realizim i dha Shqipërisë fitoren e parë në një Evropian, në paraqitjen e saj debutuese në këtë kompeticion madhor.
Me atë gol, Sadiku u bë një prej emrave më të paharrueshëm të historisë së futbollit shqiptar, ndërsa tani do të synojë të lërë gjurmë në një rol të ri, jashtë fushës së lojës.