“E pranoj veprimin, por jo tentimvrasjen” – Besart Rama kërkon arrest shtëpiak, zbardhen detajet e natës kritike

Arrest shtëpiak në vend të paraburgimit ka kërkuar mbrojtja e Besart Ramës, i akuzuar për tentimvrasjen e Blerim Mustafës në Mitrovicë të Jugut. Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Rama ka deklaruar se e pranon veprimin, por kundërshton kualifikimin juridik të Prokurorisë, e cila e ngarkon për vrasje në tentativë. Avokati…

Lajme

21/10/2026 14:24

Arrest shtëpiak në vend të paraburgimit ka kërkuar mbrojtja e Besart Ramës, i akuzuar për tentimvrasjen e Blerim Mustafës në Mitrovicë të Jugut. Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Rama ka deklaruar se e pranon veprimin, por kundërshton kualifikimin juridik të Prokurorisë, e cila e ngarkon për vrasje në tentativë.

Avokati i të pandehurit, Faruk Korenica, ka thënë se mbrojtja e pranon se veprimi ka ndodhur, por jo kualifikimin juridik të tij.

“Ne jemi të gatshëm ta pranojmë se veprimi ka ndodhur, por jo kualifikimin”, ka deklaruar Korenica.

Ndërkaq, Rama fillimisht është përgjigjur shkurt: “Qashtu qysh tha avokati”.

Më pas, ai ka deklaruar se e pranon veprimin, por jo kualifikimin juridik të bërë nga Prokuroria.

“E pranoj veprimin të cilin e kam bërë, mirëpo nuk pajtohem me kualifikimin juridik të cilin e ka bërë Prokuroria, pra, rrjedhimisht, nuk e pranoj fajësinë në tërësi sipas aktakuzës”, ka thënë Rama.

Gjatë seancës, Korenica ka kërkuar që paraburgimi të zëvendësohet me arrest shtëpiak, duke theksuar se klienti i tij ndodhet në paraburgim prej gati tre muajsh e gjysmë.

“Kryetar, unë e kam marrë pardje vendimin për vazhdimin e paraburgimit ndaj klientit tim. Dje kam paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi, mirëpo dua të deklaroj prapë se ju kisha lutur, i mbrojturi im që tri muaj e diçka, gati tre muaj e gjysmë, gjendet në paraburgim. Veprimin nuk e kemi mohuar, por kualifikimin juridik. Unë jam i bindur se ju dini më mirë se unë, se gjykatësi nuk është i lidhur me kualifikimin juridik të prokurorit. Ju mundeni t’i analizoni veprimet e mbrojtësit tim, prandaj ju kisha lutur, nëse mundeni, ta aprovoni kërkesën time që masa e paraburgimit të ndërrohet me arrest shtëpiak. Ky ju premton që gjithmonë ka me e respektu këtë masë dhe gjithmonë ka me iu përgjigjur thirrjeve tuaja dhe të Prokurorisë”, ka thënë Korenica.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, e akuzon Ramën për veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 172, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Kosovës.

Prokurorja Albana Parduzi ka paraqitur pretendimet e aktakuzës, sipas së cilës, ngjarja ka ndodhur më 18 korrik 2026, rreth orës 01:25, në rrugën “Artim Jashari” në Mitrovicë të Jugut.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër Besart Ramës, sepse më datën 18.07.2026, rreth orës 01:25 pas mesnatës, në rrugën ‘Artim Jashari’ në Mitrovicë të Jugut, i pandehuri me dashje tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin Blerim Mustafa, në atë mënyrë që i dëmtuari ishte në motoçikletën e tij dhe para tij ishin dëshmitarët A.M. dhe E.I., me veturën e markës BMË. Të njëjtit, derisa ishin duke vozitur në rrugën ‘Artim Jashari’, kalojnë në rrugë pranë të dëmtuarit, i cili ishte i ulur në një ulëse në qoshe, para sallonit të ondulimit ‘Resa’. Pas kësaj, i dëmtuari kthehet me motoçikletë, pasi e kishte dëgjuar të pandehurin duke e thirrur disa herë ‘hej, hej’. I pandehuri i del përpara dhe detyrohet ta ndalojë motoçikletën që të mos e godasë. Aty, menjëherë, i pandehuri e nxjerr thikën dhe e godet me thikë, të cilën ishte duke e mbajtur në dorën e djathtë, fillimisht në kokë, ku i dëmtuari rrëzohet nga motoçikleta, pastaj e godet në pjesën e brinjëve, në anën e majtë dhe prapa kraharorit”, ka thënë prokurorja.

Tutje, sipas prokurorisë, vijon të shpërfaqen detaje të natës kritike ku dyshohet se ndodhi ngjarja.

Pasi ngrihet në këmbë, aty vjen dëshmitari A.M. për të shikuar se çfarë ndodhi, por, pasi i dëmtuari thotë ‘ik se ka thikë’, të dy fillojnë të vrapojnë, kurse i pandehuri vazhdon me thikë në dorë, duke vrapuar pas tyre deri te lapidari ‘Artim Jashari’, duke iu thënë ‘jemi në bela, kom me ju vra tanve kallash’. Ashtu që, nga këto veprime, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore, të cilat kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit e deri në dhënien e ndihmës së parë mjekësore. Lëndimet paraqesin plagë prerëse në regjionin e majtë të tëmthit të kokës, plagë gërvishtëse në regjionin mbi shpatullën e majtë, plagë prerëse-shpuese në regjionin e shpatullës së majtë dhe praninë e lëngut dhe gjakut të tij në hapësirën e lirë të anës së majtë të kraharorit, të cilat janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë e të mprehtë, thikës”, ka deklaruar prokurorja.

Kryetari i trupit gjykues, Xhemajil Isufi, ka bërë të ditur se paraburgimi i të akuzuarit është vazhduar për dy muaj më 15 tetor, ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, lënda do t’i dërgohet Gjykatës së Apelit për vlerësim.

“Më datën 15.10.2026 ka marrë vendim përmes të cilit ia ka vazhduar masën e paraburgimit të akuzuarit për dy muaj. Ndërsa, siç e pohoi edhe mbrojtësi, dje, më datën 20.10.2026, kemi pranuar ankesë nga mbrojtësi këtu prezent ndaj këtij vendimi, ashtu që gjykata do të veprojë sipas kësaj ankese dhe lëndën në tërësi do ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën e Apelit të Kosovës”- tha Isufi

Ngjarja ishte raportuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila kishte bërë të ditur se një person ishte lënduar nga një sulm me thikë në Mitrovicë, në orët e para të 18 korrikut 2026. Sipas Policisë, viktima fillimisht ishte trajtuar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, e më pas ishte transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ishte sekuestruar edhe një thikë që dyshohej se ishte përdorur në rast.