MPB intensifikon luftën kundër trafikimit me njerëz, gjatë vitit 2025 u identifikuan 13 viktima

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, si dhe për mbrojtjen e viktimave, në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese kundër këtij fenomeni. Sipas MPB-së, trafikimi me qenie njerëzore përbën një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, ndërsa format e shfrytëzimit…

Lajme

21/10/2026 13:09

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, si dhe për mbrojtjen e viktimave, në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese kundër këtij fenomeni.

Sipas MPB-së, trafikimi me qenie njerëzore përbën një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, ndërsa format e shfrytëzimit përfshijnë punën e detyruar, shfrytëzimin seksual dhe lypjen e detyruar. Fëmijët, të rinjtë dhe personat në rrethana të cenueshme konsiderohen grupet më të rrezikuara.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministria, gjatë vitit 2025 institucionet kanë identifikuar 13 viktima të trafikimit me njerëz, ndërsa në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile u është ofruar ndihmë 18 viktimave.

Në të njëjtën periudhë raportuese, janë arrestuar 274 të dyshuar dhe janë ngritur kallëzime penale ndaj 290 personave për vepra që lidhen me trafikimin me njerëz, mundësimin ose detyrimin në prostitucion, marrjen me prostitucion dhe vepra të tjera të ndërlidhura.

MPB-ja ka bërë të ditur se, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore në Kosovë, gjatë periudhës së raportimit është shënuar progres në disa fusha, përfshirë rritjen e financimit për ndihmën ndaj viktimave, zhvillimin e aktiviteteve parandaluese dhe dënimin e më shumë personave për trafikim.

Ministria ka theksuar gjithashtu se zhvillimi i teknologjisë dhe përdorimi i gjerë i internetit e rrjeteve sociale kanë krijuar mundësi të reja për rekrutimin dhe mashtrimin e viktimave të mundshme. Për këtë arsye, qytetarëve u është bërë thirrje të kenë kujdes ndaj ofertave të dyshimta dhe të raportojnë rastet kur vërejnë shenja të kontrollit, kërcënimit, presionit apo detyrimit për të punuar kundër vullnetit të personave.

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese, MPB-ja planifikon të vazhdojë informimin e qytetarëve përmes mesazheve SMS, organizimin e ligjëratave me nxënës dhe mësimdhënës në shkollat në të gjithë vendin, si dhe shpërndarjen e materialeve informuese për mënyrat e raportimit të rasteve të trafikimit.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë dyshimeve për trafikim me njerëz, por t’i raportojnë ato tek institucionet kompetente. Sipas saj, raportimet trajtohen me konfidencialitet, ndërsa identifikimi i hershëm i rasteve është thelbësor për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e shfrytëzimit të mëtejmë. /Lajmi.net/