Raportet UÇK–FARK në fokus, Specialja pranon dëshmitë e kërkuara nga mbrojtja e Jakup Krasniqit
Gjykata Speciale në Hagë ka bërë publike një kërkesë të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, të paraqitur në tetor të vitit 2025, për pranimin e disa dëshmive si prova në procesin gjyqësor ndaj tij. Dëshmitë janë të një ish-pjesëtari të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe një ish-komandanti të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës…
Lajme
Gjykata Speciale në Hagë ka bërë publike një kërkesë të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, të paraqitur në tetor të vitit 2025, për pranimin e disa dëshmive si prova në procesin gjyqësor ndaj tij. Dëshmitë janë të një ish-pjesëtari të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe një ish-komandanti të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).
Në dokumentin e datës 3 tetor 2025, i cili u bë publik më 14 tetor 2026, paneli gjyqësor ka vlerësuar se deklarata e ish-zyrtarit të LDK-së ka vlerë provuese për çështje që lidhen me veprimtarinë politike të Krasniqit dhe zhvillimet brenda kësaj partie gjatë viteve 1997–1998, transmeton lajmi.net.
Sipas vlerësimit të panelit, mbrojtja synon ta përdorë këtë dëshmi për të trajtuar krijimin e sistemeve paralele të arsimit dhe shëndetësisë, pjesëmarrjen e Jakup Krasniqit në LDK, aktivitetet e tij gjatë viteve 1997–1998, si dhe perceptimin që ai kishte për anëtarët dhe politikat e kësaj partie.
Në dokumentin e Gjykatës Speciale thuhet:
“Pasi ka konstatuar se deklarata e [REDACTED] është relevante dhe, në shikim të parë, autentike dhe e besueshme, Trupi gjykues gjithashtu vlerëson se deklarata e [REDACTED] ka vlerë provuese”
Një pjesë tjetër e dokumentit trajton një shkresë të LDK-së, përmes së cilës, sipas dëshmisë së përmendur, Krasniqi kishte shprehur mospajtimin e tij me mënyrën e përzgjedhjes së udhëheqjes së partisë në vitet 1997–1998.
Lidhur me këtë dokument, paneli gjyqësor ka dhënë këtë vlerësim:
“Sa i përket dokumentit të LDK-së, Trupi Gjykues vëren se ai lidhet me dëshminë e [REDACTED] lidhur me aktivitetet e z. Krasniqi në LDK gjatë viteve 1997–1998.
Trupi Gjykues vëren se, kur iu prezantua ky dokument, [REDACTED] komentoi se [REDACTED], në atë kohë [REDACTED], nuk pajtohej me metodat e përdorura për zgjedhjen e udhëheqjes së LDK-së [REDACTED].
Për rrjedhojë, Trupi Gjykues është i bindur se dokumenti i LDK-së përbën një pjesë të domosdoshme dhe të pandashme të deklaratës së [REDACTED].
Trupi Gjykues vëren gjithashtu se dokumenti është i datuar dhe i nënshkruar. Trupi Gjykues është i bindur se dokumenti i LDK-së është relevant, prima facie autentik dhe i besueshëm, si dhe ka vlerë provuese.
Për më tepër, Trupi Gjykues vëren se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk e kundërshton pranimin e tij si provë, ndërsa palët e tjera dhe Mbrojtësi i Viktimave do të kenë mundësinë ta marrin në pyetje dëshmitarin në mënyrë kundërshtuese lidhur me këtë provë shoqëruese.
Rrjedhimisht, Trupi Gjykues është i bindur se vlera provuese e dokumentit nuk tejkalohet nga ndonjë efekt paragjykues.
Për këto arsye, Trupi Gjykues konstaton se dokumenti i LDK-së është i përshtatshëm për t’u pranuar si provë në bazë të rregullave 138(1) dhe 154”
Përveç dëshmisë së ish-pjesëtarit të LDK-së, mbrojtja e Krasniqit ka kërkuar pranimin e dokumenteve dhe deklaratave të një ish-komandanti të FARK-ut. Këto materiale synojnë të ndriçojnë raportet ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe FARK-ut, si dhe zhvillimet që lidhen me organizimin dhe veprimtarinë e këtyre formacioneve gjatë periudhës së përfshirë në aktakuzë.
Në arsyetimin e saj, mbrojtja ka argumentuar se provat e propozuara i plotësojnë kushtet për t’u pranuar, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e ka kundërshtuar kërkesën.
Në dokumentin e Gjykatës Speciale thuhet:
“Mbrojtja e Jakup Krasniqit argumenton se provat e propozuara nga dëshmitari [REDACTED] janë: (i) relevante; (ii) në pamje të parë autentike dhe të besueshme; dhe (iii) të përshtatshme për t’u pranuar në bazë të Rregullës 154. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk e kundërshton pranimin e këtyre provave.
26. Sa i përket relevancës së deklaratave të [REDACTED], Trupi Gjykues vëren se [REDACTED] është ish-oficer profesionist ushtarak, me përvojë në [REDACTED], i cili iu bashkua Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) në [REDACTED], nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes të qeverisë në mërgim të vetëshpallurës Republika e Kosovës, të drejtuar nga Ahmet Krasniqi.Trupi Gjykues vëren se mbrojtja e Krasniqit synon të mbështetet në deklaratat e [REDACTED] lidhur me disa aspekte të çështjes së ZPS-së kundër z. Krasniqi, përfshirë: (i) themelimin e FARK-ut dhe hyrjen e pjesëtarëve të tij në Kosovë; (ii) marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe FARK-ut, si dhe linjat e komunikimit mes tyre gjatë periudhës së përfshirë në aktakuzë; (iii) përpjekjet për bashkimin e UÇK-së dhe FARK-ut; dhe (iv) qëndrimin e z. Krasniqi ndaj FARK-ut”
Paneli gjyqësor ka shqyrtuar përmbajtjen e deklaratave dhe ka vlerësuar se, ndonëse disa pjesë të tyre nuk kanë lidhje me çështjen ose kanë rëndësi të kufizuar, ato përmbajnë informacione të rëndësishme për procedurat gjyqësore.
Në veçanti, dëshmitë lidhen me rrethanat e përgjithshme të kohës, marrëdhëniet ndërmjet udhëheqësve të UÇK-së dhe FARK-ut, veprimet që i atribuohen Krasniqit dhe rolin e tij brenda UÇK-së.
Në pikën 27 të dokumentit, paneli ka theksuar:
“Pas shqyrtimit të deklaratave të [REDACTED], Trupi Gjykues vëren sërish se ato përmbajnë informacione që nuk janë relevante për këtë çështje ose që kanë vetëm relevancë të kufizuar. Megjithatë, Trupi Gjykues është i bindur se ato përmbajnë edhe informacione relevante për këto procedura, veçanërisht lidhur me rrethanat kontekstuale, marrëdhëniet ndërmjet udhëheqësve të UÇK-së dhe FARK-ut, disa veprime që i atribuohen z. Krasniqi, si dhe rolin e tij brenda UÇK-së.Për këtë arsye, Trupi Gjykues është i bindur se deklaratat e [REDACTED] janë relevante për akuzat e paraqitura në aktakuzë”
Në përfundim, paneli gjyqësor e ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit për pranimin e këtyre materialeve si prova në procesin gjyqësor./lajmi.net/
