Taulant Balla fton protestuesit në dialog: Të enjten votojmë marrëveshjen për investime në konvikte
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka bërë thirrje studentëve dhe protestuesve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të ulen në dialog me qeverinë. “Thirrja ime është për dialog. Këtu janë vendosur karriget. Gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Grupi i PS dënon dhunën. Elementi thelbësor këtu…
Lajme
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka bërë thirrje studentëve dhe protestuesve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të ulen në dialog me qeverinë.
“Thirrja ime është për dialog. Këtu janë vendosur karriget. Gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Grupi i PS dënon dhunën. Elementi thelbësor këtu është ngritja e dorës kundër Policisë së Shtetit”, tha Balla.
Në një deklaratë për mediat Balla njoftoi se ditën e enjte, në Kuvend, do të votohet një marrëveshje për rritjen e investimeve në konviktet universitare.
“Pakti 2.0 për universitetin është tani. Ditën e enjte votojmë në Parlament një marrëveshje për të investuar më shumë në konvikte. Kushtet sot në konvikte as që krahasohen me kohën kur kemi qenë ne studentë. Gjithë këto dëme që janë bërë deri më sot, shkojnë përtej një investimi për korpusin e universitetit”.
Ai theksoi se Grupi Parlamentar i PS-së ka marrë mesazhin e kryeministrit Edi Rama për vijimin e menjëhershëm të punës së Kuvendit, teksa theksoi rëndësinë e miratimit të ligjeve që lidhen me procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
“Në mbledhjen e Grupit të PS ka pasur një mesazh prej kryeministrit, për të vijuar punën e Kuvendit në mënyrë të menjëhershme. Agjenda që lidhet me negociatat dhe me rolin e Kuvendit në këtë proces është shumë intensive. Ditën e enjte janë 3-4 ligje që kanë kaluar nga seanca e kaluar në këtë seancë. Afati i fundit që këto ligje të kalohen është fundi i këtij muaji”.
Duke komentuar përplasjet gjatë protestave, Balla dënoi dhunën ndaj Policisë së Shtetit dhe tha se pjesa më e madhe e të lënduarve gjatë protestave janë punonjës policie. Ai apeloi që të mso përdoren fëmijët si mish për top.
“Sot protesta të ngjashme ka në shumë vende të Europës dhe botës. I vetmi dallim është që nëse në Francë ¾ të lënduar janë protestues, në Shqipëri 2/3 nga ata që janë lënduar janë punonjës policie. Gjaku i policëve është gjaku i shtetit. Nuk duhen lënë që fëmijët të përdoren si mish për top nga agjenda nga jashtë. Lajmi i mirë sot është që në të gjitha shkollat po bëhet mësim”.