Nagavci kërkon që në seancën e së enjtes të shqyrtohen edhe projektligje të tjera, nuk mori mbështetje nga grupet e tjera parlamentare

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet të enjten, të shqyrtohen edhe projektligje që janë në proces të finalizimit. Nagavci ka bërë të ditur se, meqë në rendin e ditës së seancës nuk është paraparë shqyrtimi i ndonjë projektligji,…

Lajme

19/10/2026 12:40

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet të enjten, të shqyrtohen edhe projektligje që janë në proces të finalizimit.

Nagavci ka bërë të ditur se, meqë në rendin e ditës së seancës nuk është paraparë shqyrtimi i ndonjë projektligji, ajo ka kërkuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që të përfshihen edhe projektligje të tjera që mund të jenë të gatshme për shqyrtim.

Ajo ka rikujtuar se në seancën e 5 tetorit janë shqyrtuar dhe miratuar në lexim të parë 14 projektligje, prej të cilave nëntë janë pjesë e Planit të Rritjes.

Sipas Nagavcit, miratimi i këtyre projektligjeve edhe në lexim të dytë është i rëndësishëm, pasi përbën një nga kriteret për përfitimin nga ky plan.

Ajo ka theksuar se një numër i konsiderueshëm i këtyre projektligjeve ishte shqyrtuar edhe në legjislaturat e kaluara, por nuk kishte arritur të miratohej në lexim të dytë për shkak të mungesës së funksionalitetit të Kuvendit.

Nagavci ka bërë të ditur se kërkesa e saj për trajtimin e këtyre projektligjeve në komisionet parlamentare nuk ka gjetur pajtueshmërinë e grupeve të tjera parlamentare.

Megjithatë, ajo ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes do të angazhohen që projektligjet të shqyrtohen në komisione të mërkurën, me synimin që ato që përfundojnë procedurat të mund të përfshihen në seancën e së enjtes.

Ajo ka vlerësuar se këto projektligje janë me interes dhe se miratimi i tyre do të mundësonte avancimin e procesit të përmbushjes së kritereve të Planit të Rritjes. /Lajmi.net/