Eurodeputeti: T’i fajësosh të rinjtë shqiptarë se janë të ndikuar nga jashtë vetëm pse po e shfaqin hidhërimin e tyre për korrupsionin, është fyerje

Eurodeputeti Rihards Kols ka kritikuar autoritetet shqiptare për reagimin e policisë ndaj protestuesve, duke thënë se studentët dhe të miturit po përballen me plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse, ndërsa gazetarët po sulmohen gjatë kryerjes së detyrës. Në një reagim në platformën X, Kols ka thënë se Shqipëria paraqitet në Bruksel si aleate e…

Lajme

18/10/2026 22:31

Eurodeputeti Rihards Kols ka kritikuar autoritetet shqiptare për reagimin e policisë ndaj protestuesve, duke thënë se studentët dhe të miturit po përballen me plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse, ndërsa gazetarët po sulmohen gjatë kryerjes së detyrës.

Në një reagim në platformën X, Kols ka thënë se Shqipëria paraqitet në Bruksel si aleate e besueshme e NATO-s dhe vend në krye të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por se veprimet e policisë në vend, sipas tij, bien ndesh me vlerat demokratike.

Ai ka theksuar se NATO-ja dhe BE-ja mbështeten në sundimin e ligjit dhe respektimin e qytetarëve.

Kols ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për ndërhyrje të huaja si shpjegim për zemërimin e të rinjve shqiptarë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Ai ka kërkuar hetimin e çdo rasti të dhunës policore, duke theksuar se qytetarët shqiptarë duhet të kenë mundësinë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.

Postimi i plotë:

Shqipëria paraqitet në Bruksel si një aleate e besueshme e NATO-s dhe si një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në BE. Në vend, policia i pret studentët dhe të miturit me plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse. Gazetarët rrihen teksa kryejnë punën e tyre.

NATO-ja dhe BE-ja janë aleanca të demokracive. Të dyja mbështeten në sundimin e ligjit dhe respektimin e qytetarëve. Gazi lotsjellës kundër studentëve dhe sulmet ndaj gazetarëve tregojnë të kundërtën. Vlerat dëshmohen brenda vendit. Qeveria e Shqipërisë aktualisht po dështon në këtë provë.

Fajësimi i “ndërhyrjes së huaj” për zemërimin e të rinjve shqiptarë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është fyerje ndaj tyre. Çdo rast i dhunës policore duhet të hetohet. Shqiptarët duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.