​Rrustemi-Hazirit: Në kohën e qeverisjes suaj, Serbia mbante zgjedhje në Kosovë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi ka reaguar ndaj deklarimeve të nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri se “Serbia nuk duhet të mbajë zgjedhje në Kosovë”, duke thënë se “një deklaratë e tillë sado kundër zgjedhjeve, e krijon përshtypjen sikur ka dilema se a duhet të mbahen apo jo.” Në një postim në Facebook, Rrustemi ka…

Lajme

18/10/2026 20:27

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi ka reaguar ndaj deklarimeve të nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri se “Serbia nuk duhet të mbajë zgjedhje në Kosovë”, duke thënë se “një deklaratë e tillë sado kundër zgjedhjeve, e krijon përshtypjen sikur ka dilema se a duhet të mbahen apo jo.”

Në një postim në Facebook, Rrustemi ka përkujtuar se deri para ardhjes së VV në pushtet, kur Haziri apo partia e tij qeveriste, zgjedhjet e Serbisë mbaheshin në Kosovë si diçka normale.

“Lutfi Haziri i LDK-së paska thënë: “Serbia nuk duhet të mbajë zgjedhje në Kosovë”. Ky është një nga rastet kur ndryshimi i realitet politik nga një Qeveri tjetër e bënë krejtësisht të pakuptimtë një deklaratë të tillë. Deri para ardhjes së VV në pushtet e kur Haziri apo partia e tij qeveriste, zgjedhjet e Serbisë mbaheshin në Kosovë si diçka krejt normale.

Sot askujt nuk i shkon në mend se mund mbahen zgjedhjet e Serbisë këtu. Madje një deklaratë e tillë sado kundër zgjedhjeve, e krijon përshtypjen sikur ka dilema se a duhet të mbahen apo jo. Jo, nuk do të mbahen, e pikërisht se jo, as nuk na shkon mendja për t’u deklaruar.

Por po të ishte për Lutfi Hazirin dhe klasën politike që ai përfaqëson, zgjedhjet e Serbisë do të vazhdonin të mbaheshin në Kosovë dhe ne nga VV do të ishim duke kritikuar ato.

Ju kujtohet viti 2020, kur një nga vendimet e para të Avdullah Hotit ishte lejimi i zgjedhjeve të Serbisë. Kur ishin në pushtet i lejonin, kur ne i ndaluam nuk na përkrahën, kur kaluan disa vite dhe e panë se bën të ndalohen, dalin thonë nuk duhet të mbahen.”

Kujtojmë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, duke theksuar se vendi duhet të vazhdojë procesin e “çmontimit të strukturave të mbetura të institucioneve serbe”.

Serbia pritet të mbajë zgjedhje më 25 tetor. Qeveria Kurti, prej vitit 2021, nuk ka lejuar të mbahen zgjedhjet e Serbisë në territorin e Kosovës. Ndërkaq, në veri të vendit, para disa ditësh, u ndalua edhe mbarëvajtja e fushatave zgjedhore.

“Natyrisht që jo, në asnjë mënyrë. Ka fragmente të institucioneve të Serbisë në Kosovë, ka fosile dhe mbetje, por çmontimi i institucioneve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë ka filluar dhe ka ndodhur më 12 qershor 1999. Krejt ato mbetje që na kanë përcjellë si problem janë çështje kohe dhe janë larguar, edhe kanë për t’u larguar tërësisht. Ne çka duhet të garantojmë është që çdo qytetar i Kosovës duhet të ketë të drejtë të jetojë në atdheun e vet, të jetojë mirë në atdheun e vet, të trajtohet barabartë dhe të integrohet me besim në institucionet e Republikës”, tha Haziri.