Ramadani: E rëndësishme që qytetarëve t’u tregojmë që gjendja nuk është e mirë, por ajo ka trend të përkeqësimit
Pas prezantimit të platformës së re politike dhe strategjisë zhvillimore nga kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, deputeti i këtij subjekti, Burim Ramadani, ka deklaruar se Kosova po hyn në një fazë të re të opozitarizmit. Ramadani tha se opozita ka përgjegjësi t’i informojë qytetarët për gjendjen në vend, për të cilën pretendon se po përkeqësohet…
Lajme
Pas prezantimit të platformës së re politike dhe strategjisë zhvillimore nga kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, deputeti i këtij subjekti, Burim Ramadani, ka deklaruar se Kosova po hyn në një fazë të re të opozitarizmit.
Ramadani tha se opozita ka përgjegjësi t’i informojë qytetarët për gjendjen në vend, për të cilën pretendon se po përkeqësohet në disa sektorë kyç, transmeton lajmi.net.
Ai përmendi sigurinë, energjinë dhe zhvillimin si fusha ku, sipas tij, situata nuk është e mirë.
“Tashmë është e qartë që Kosova hyn në fazën tjetër, që është zhvillimi i opozitarizmit nga ana e Aleancës. Ajo që është tepër me rëndësi është që ka domosdoshmëri që qytetarëve t’ua qartësojmë dhe t’u tregojmë që gjendja nuk është e mirë, por ajo ka trend të përkeqësimit si në siguri, si në energji dhe si në zhvillim, e cila aktualisht mbetet vetëm si koncept i mohuar”, u shpreh Ramadani.
Deputeti i Aleancës theksoi se partia nuk do të heqë dorë nga angazhimi opozitar, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të rëndësishme politike dhe shtetërore.
“Ne nuk do të ndalemi, kjo është një betejë politike që do të vazhdojë dhe si e tillë ne në Aleancë e shohim si përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, sepse siç e tha edhe kryetari Gjini, Aleanca është kyçe në opozitëbërje”, deklaroi Ramadani për Klan Kosova.
Deklaratat e Ramadanit vijnë pas prezantimit të platformës së re politike të Aleancës, përmes së cilës partia synon të përcaktojë drejtimet e angazhimit të saj në opozitë./lajmi.net/