80-vjetori i akademik Hivzi Islamit, Shiroka-Pula vlerëson kontributin e tij në shkencën shqiptare

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë në promovimin e dy veprave shkencore të akademik Hivzi Islamit, organizuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka vlerësuar kontributin e Islamit në studimin e popullsisë së Kosovës dhe shqiptarëve, duke theksuar se veprimtaria e tij përfaqëson një pjesë të rëndësishme të…

Lajme

15/10/2026 16:12

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë në promovimin e dy veprave shkencore të akademik Hivzi Islamit, organizuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.

Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka vlerësuar kontributin e Islamit në studimin e popullsisë së Kosovës dhe shqiptarëve, duke theksuar se veprimtaria e tij përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë shkencore dhe akademike të vendit.

Sipas një komunikate të Zyrës së Presidentes, ajo ka thënë se ky përvjetor nuk shënon vetëm promovimin e dy librave, por nderon edhe një jetë të tërë të kushtuar dijes, shkencës, arsimit universitar dhe zhvillimit institucional.

“Në historinë e çdo institucioni shkencor ka personalitete që nuk dallohen vetëm për veprat që kanë shkruar, por edhe për gjurmët që kanë lënë në zhvillimin e vetë institucionit, në formimin e brezave të rinj dhe në afirmimin e shkencës në hapësirën kombëtare e ndërkombëtare. Një personalitet i tillë është pa dyshim akademik Hivzi Islami”, ka deklaruar Presidentja.

Shiroka-Pula ka theksuar se, si kolege e Islamit prej shumë vitesh, ka pasur mundësi të njohë nga afër përkushtimin e tij ndaj punës shkencore, seriozitetin profesional dhe angazhimin për zhvillimin e Akademisë.

Ajo ka veçuar kontributin e tij në institucionalizimin e demografisë si disiplinë shkencore dhe universitare në Kosovë, si dhe në organizimin e studimeve pasuniversitare dhe përgatitjen e studiuesve të rinj.

Sipas Presidentes, Hivzi Islami konsiderohet një nga themeluesit e demografisë moderne shqiptare dhe ndër studiuesit më të njohur të proceseve demografike në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare. Veprimtaria e tij përfshin disa libra shkencorë dhe mbi 150 studime e artikuj të botuar në publikime vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së saj, Shiroka-Pula është ndalur edhe te sfidat demografike me të cilat përballet Kosova, përfshirë emigrimin, largimin e të rinjve, rënien e lindshmërisë dhe ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë. Ajo ka theksuar se këto zhvillime ndikojnë në tregun e punës, ekonomi dhe perspektivën afatgjatë të vendit.

Njëra nga veprat e promovuara, “Kosova: Tranzicioni i fundit demografik në Evropë”, trajton proceset e transformimit demografik të popullsisë së Kosovës.

Në përfundim, Presidentja ka shprehur bindjen se puna dhe veprimtaria e akademik Hivzi Islamit do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës. /Lajmi.net/