LDK-ja do të marrë pjesë në grupin për Specialen, Abdixhiku propozon Kujtim Shalën si përfaqësues të partisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia që drejton do të marrë pjesë në Grupin Punues për Gjykatën Speciale. Abdixhiku ka bërë të ditur se i ka kërkuar shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së që përfaqësues i kësaj partie në grup të jetë deputeti Kujtim Shala. Ai ka theksuar…

Lajme

15/10/2026 13:51

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia që drejton do të marrë pjesë në Grupin Punues për Gjykatën Speciale.

Abdixhiku ka bërë të ditur se i ka kërkuar shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së që përfaqësues i kësaj partie në grup të jetë deputeti Kujtim Shala.

Ai ka theksuar se, në rast se Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë në këtë grup do të angazhohet vetë shefja e grupit parlamentar, Jehona Lushaku-Sadriu.

“Po natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozojë akademik Kujtim Shalën. Nëse akademik Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do të jetë vetë Jehona Lushaku-Sadriu”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, por ka paralajmëruar se iniciativat e tilla nuk duhet t’u paraqiten qytetarëve si zgjidhje që kanë efekt juridik, nëse nuk e kanë një të tillë.

“Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, ka thënë ai. /Lajmi.net/