KPK përgatit fazën e radhës për rekrutimin e prokurorëve të rinj, caktohet testi kualifikues
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka përgatitur hapat e radhës në procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj, përfshirë caktimin e datës së testit kualifikues dhe publikimin e listës së kandidatëve që do të vazhdojnë në fazën e ardhshme. Sipas një komunikate të KPK-së, Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit ka mbajtur takim të…
Lajme
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka përgatitur hapat e radhës në procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj, përfshirë caktimin e datës së testit kualifikues dhe publikimin e listës së kandidatëve që do të vazhdojnë në fazën e ardhshme.
Sipas një komunikate të KPK-së, Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit ka mbajtur takim të enjten, nën udhëheqjen e kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Arian Gashi.
Gjatë takimit, komisioni ka shqyrtuar çështjet e nevojshme për vazhdimin e procesit, me fokus te kandidatët që kanë kaluar fazën e përzgjedhjes preliminare dhe i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar testit kualifikues.
Në këtë kuadër, komisioni ka përgatitur njoftimin për kandidatët përkatës, ka caktuar datën e mbajtjes së testit dhe ka vendosur për publikimin e listës së kandidatëve që do të vazhdojnë tutje në procesin e rekrutimit.
KPK-ja ka ftuar përfaqësuesit e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare dhe palët e tjera të interesuara që ta monitorojnë procesin, me qëllim të garantimit të transparencës dhe rritjes së besimit të publikut.
Në komunikatë, Këshilli Prokurorial ka ritheksuar përkushtimin për një proces rekrutimi të drejtë e transparent, të bazuar në kritere të përcaktuara dhe me trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët. /Lajmi.net/