Momenti kur familjarët e Gani Gecit mësojnë vendimin e Gjykatës, pritën për më shumë se dy orë në Pallatin e Drejtësisë

Familjarët e Gani Gecit kanë pritur për më shumë se dy orë në Pallatin e Drejtësisë, deri në momentin kur avokati i tyre, Besnik Berisha, i ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar ish-deputetit një muaj paraburgim. Pas pritjes së gjatë, Berisha u ka komunikuar familjarëve vendimin e gjykatës, e cila ka…

Lajme

14/10/2026 16:35

Familjarët e Gani Gecit kanë pritur për më shumë se dy orë në Pallatin e Drejtësisë, deri në momentin kur avokati i tyre, Besnik Berisha, i ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar ish-deputetit një muaj paraburgim.

Pas pritjes së gjatë, Berisha u ka komunikuar familjarëve vendimin e gjykatës, e cila ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Gecit, shkruan lajmi.net.

Vendimi është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gani Geci dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, drejtues i mediumit “Vox Kosova”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë, për shkak të një postimi të publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj në rrjetin social Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci, me qëllim që ta detyrojë të dëmtuarin ta largojë ose ta ndryshojë përmbajtjen e postimit, pasi ky i fundit kishte refuzuar kërkesën e tij, thuhet se ka kanosur drejtpërdrejt me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra“.

“…duke ia përsëritur kërkesën me fjalët: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra“, thuhet në kërkesë.

Më tej, thuhet se më 12 tetor 2026 derisa i dëmtuari ishte në emisionin “Debat Plus” në cilësinë e panelistit, i dyshuari Geci kishte shkuar në afersi të TV Dukagjinit, ku edhe kishte postuar video në rrjetin social Tik-Tok për t’ia bëre me dije të dëmtuarit se ndodhej aty dhe e kishte pritur përreth dy orë që të dilte nga studio. Me këto veprime, ka shkaktuar tek i dëmtuari ndjenjën e frikës, ankthit e pasigurisë.

Andaj, për këto veprime, Gani Geci dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal./Lajmi.net/