Policia shqipton mbi 5 mijë gjoba për tejkalim shpejtësie brenda një jave në Kosovë
Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha rrugët e vendit gjatë periudhës 5 deri më 11 tetor 2026, në kuadër të planit operacional ROADPOL, me moton “Përqendrohu në rrugë”. Sipas raportit të policisë, gjatë kësaj jave janë realizuar gjithsej 1,868 pika kontrolli, ndërsa janë kontrolluar 11,174 automjete. Nga këto kontrolle, numri më i…
Lajme
Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha rrugët e vendit gjatë periudhës 5 deri më 11 tetor 2026, në kuadër të planit operacional ROADPOL, me moton “Përqendrohu në rrugë”.
Sipas raportit të policisë, gjatë kësaj jave janë realizuar gjithsej 1,868 pika kontrolli, ndërsa janë kontrolluar 11,174 automjete.
Nga këto kontrolle, numri më i madh i gjobave është shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë, gjithsej 5,400 gjoba.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 255 gjoba për përdorimin e telefonit mobil gjatë ngasjes dhe 317 gjoba për mospërdorimin e rripit të sigurisë.
Në total, për këto tri kategori të kundërvajtjeve janë shqiptuar 5,972 gjoba brenda një jave.
Policia ka bërë të ditur se qëllimi i këtij operacioni ka qenë rritja e sigurisë në komunikacion dhe parandalimi i aksidenteve rrugore.
Aktivitetet janë zhvilluar në kuadër të planit ROADPOL 2026, që synon ndërgjegjësimin e shoferëve për respektimin e rregullave të trafikut, me theks të veçantë te shmangia e përdorimit të telefonit, respektimi i kufizimeve të shpejtësisë dhe vendosja e rripit të sigurisë.